Në Selenicë të Vlorës u zhvillua Festivali i Parë Folklorik i zonës me pjesëmarrjen e grupeve polifonike nga i tërë territori, që ka në juridiksion kjo njësi vendore. Me iniciativën e kryetarit të bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, u mblodhën dje bashkë dhjetë grupe polifonike nga Sevasteri, Vajza, Velça, Gjormi, Kota, Drashovica, Armeni, Lubonja, Koculi e Romësi dhe që të gjithë së bashku i dhanë udhë edicionit të parë të festivalit. I mbajtur në vigjilje të Festave të mëdha të nëntorit, 111- vjetorit të Pavarësisë dhe 79- vjetorit të Çlirimit të Atdheut, ky aktivitet u shndërrua edhe në një manifestim i madh folklori, jo vetëm nga kënga labe, por edhe kostumet plot ngjyra e ornamente të lloj-llojshme. Festivali u bë i mundur edhe falë bashkëpunimit e kontributit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Vlorës, institucion që ka kohë që po kontribuon në realizimin e disa aktiviteteve të bukura në fushën e trashëgimisë kulturore për zonën me jo pak resurse në trashëgimi shpirtërore e materiale. Festivalin e deklaroi të hapur kryetari i bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj i cili për veç të tjerash deklaroi vazhdimësinë e këtij aktiviteti duke e kthyer atë në një agjendë të përvitshme të bashkisë që ai drejton. Në festival mori pjesë e performoi edhe një ansambël nga qyteti Inegol i Turqisë, të cilët u pritën me duartrokitje nga të pranishmit e shumtë që ndoqën festivalin. Në festival morën pjesë e përshëndetën edhe deputeti i zonës, Vullnet Sinaj dhe deputetja Teuta Rama. Edicioni i parë i Festivalit Folklorik të Selenicës, veç të tjerash, u konceptua nga organizatorët edhe si një aktivitet me vlera të mëdha trashëgimie, por edhe festive që kjo bashki organizoi në kuadër të 111-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare dhe 79- vjetorit të Çlirimit të Atdheut.