Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREQindra mijëra persona protestojnë kundër dhunës ndaj grave

Qindra mijëra persona protestojnë kundër dhunës ndaj grave

Qindra mijëra italianë morën pjesë në protestat në të gjithë Italinë për Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, mes zemërimit të gjerë publik dhe shqetësimit për vrasjen e 22-vjeçares Giulia Cecchettin nga ish-i dashuri i saj, Filippo Turetta më 11 nëntor, i fundit nga një varg i gjatë femicidesh dhe aktesh të tjera të dhunës me bazë gjinore në vend. Protesta u zhvilluan në të gjithë vendin për të kërkuar fundin e dhunës dhe abuzimit, me demonstratat në Milano, Romë, Mesina dhe Napoli që tërhoqën turma veçanërisht të mëdha. “Lajmet dramatike kanë tronditur ndërgjegjen e vendit”, tha presidenti Mattarella në mesazhin e tij për këtë ditë. “Një shoqëri njerëzore që aspiron të qytetërohet nuk mund ta pranojë, nuk mund ta durojë këtë varg sulmesh ndaj grave dhe vrasjeve. Dhimbja e pashërueshme e familjeve dhe komuniteteve të plagosura është dëshpërimi i të gjithëve ne. Kur përballemi me një grua të vrarë, me jetën e thyer të një të riu, me një person të poshtëruar verbalisht ose me gjeste të përditshme në familje, në vendin e punës, në shkollë, ne duhet të ndjejmë se pas kësaj dhune qëndron dështimi i një shoqërie, e cila nuk arrin të promovojë marrëdhënie reale të barabarta midis grave dhe burrave”, theksoi ai. Ndërkohë, kryeministrja Giorgia Meloni rinovoi zotimin e saj për të vazhduar luftën kundër dhunës ndaj grave, duke e përshkruar atë si një “dukuri të patolerueshme që duhet luftuar në 360 gradë”. “Jam krenare për ligjin që u votua nga të gjitha forcat politike në parlament”, vazhdoi Meloni, duke iu referuar normave të reja kundër dhunës, të miratuara përfundimisht nga Senati të mërkurën. Papa Françesku bëri thirrje gjithashtu për veprime për të parandaluar dhunën me bazë gjinore. “Dhuna ndaj grave është një bar helmues që mundon shoqërinë tonë dhe duhet të shkulet nga rrënjët e saj. Këto rrënjë rriten në tokën e paragjykimeve dhe të padrejtësisë. Ato duhet të përballen me veprime edukative që në qendër vendosin dinjitetin e personit, të asaj ose të atij”, shkruajti papa Françesku në X.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments