Tuesday, October 22, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREEkspozita “Paskali, në Sarandë

Ekspozita “Paskali, në Sarandë

Ekspozita “Paskali, artistët e Jonit dhe mureve të gurta”, me vepra të artistëve të qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Përmet e Sarandë u çel në qytetin bregdetar të Sarandës. Kjo ekspozitë përcolli tek publiku imazhin e veprave të artit dhe jetën e artistëve që i krijuan në situata e kohë të shkuara, si dhe nxiti kërshërinë për të njohur trashëgiminë figurative të krijuar kryesisht në shek. XX dhe më tej. Ekspozita me drejtues projekti Olsi Laska dhe kuratore Suzana Varvarica Kuka, u hap në kuadër të rrugëtimit të veprimtarisë së organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve, në Tiranë “Psikologjia Shqiptare në artet pamore”. Në ekspozitë prezantohet krijimtaria e dhjetëra artistëve që u lindën e u rritën në ajrin e detit Jon dhe në qytetet e mrekullueshëm me shtëpi dhe kala me mure të gurta. Veprat e artistëve të Përmetit e Gjirokastrës, të Vlorës e Sarandës, që u arsimuan dhe krijuan në aksin jugperëndimor të Shqipërisë, kanë imazhe figurative me të cilat do të njihet e do të frymëzohet brezi më i ri i kohës sonë. Këtë grup artistësh e udhëheq Odhise Paskali, artisti që në vitet 30 të shek. XX, me statujat e tij në bronz, të vendosura në Korçë, Gjirokastër, Kukës e Tiranë i ktheu vendbanimet në qytete me qendër urbane. Ai ndikoi aq shumë, sa dhjetëra skulptorë që përfaqësohen në këtë ekspozitë janë nga Përmeti, vendlindja e mjeshtrit të madh Paskali. Ai ndiqet nga piktorët e “Shkollës së Vlorës”, që në vitet 70 – të shek. XX krijuan gjuhën e tyre ekspresive figurative, e cila buronte nga temperamenti dhe atmosfera figurative e peizazheve të detit, të kodrave me brezare e me platacione agrumesh. Veprat janë të lidhura ngushtësisht me portretin psikologjik shqiptar, që u fiksua me ngjyra e volume, në një kohe të caktuar sociale dhe historike. Imazhet, objektet, personazhet, vendet, elementet krijuese të veprave të tyre, bashkëbisedimet në programet e edukimit artistik, do të rievokojnë atmosferën e shkuar, duke rifreskuar dhe respektuar njohjen, dijen, zakonet, doket, kulturën dhe rëndësinë e trashëgimisë shpirtërore dhe materiale shqiptare drejt një brezi të ri, i cili do të rivlerësojë dhe trashëgojë në të ardhmen vetitë më të mira të jetës dhe psikologjisë së popullit tonë. “Ekspozita në Galerinë e qytetit të Sarandës “Paskali, artistët e Jonit dhe mureve të gurta” funksionon përsëri nën idiomën thërritëse: “Filloni vizitën tuaj të artit! Start your Art visit!” Shumë shpejt do të kalojë koha e restaurimit dhe e zgjerimit arkitektonik të institucionit kulturor të GKA-së dhe një Muze Arti do të funksionojë me parametra tejet bashkëkohorë. Në këtë periudhë ndërtimesh e restaurimesh lindi inciativa për të ekspozuar veprat e Fondit të GKA-së jashtë mureve të sallave të saj, për të krijuar mundësi të reja komunikimi për shikuesit dhe vizitorët shqiptarë dhe të huaj, të cilët nuk lëvizin e shëtisin vetëm në kryeqytet, por vizitojnë site arkeologjike, bregdetin dhe qytete të Shqipërisë”, shprehen drejtuesi i projektit Olsi Laska dhe kuratorja Suzana Varvarica Kuka.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments