Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORT Prezantohet Strategjia e Futbollit të Vajzave 2023-26

 Prezantohet Strategjia e Futbollit të Vajzave 2023-26

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi pasditen e kësaj të enjteje në stadiumin “Air Albania” eventin e rëndësishëm të paraqitjes së Strategjisë së Futbollit të Vajzave “Rising Stars 2023-2026”. Një strategji me projekte që pritet të sjellin ndryshime cilësore në futbollin e vajzave në 3 vitet e ardhshme e që është bërë në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të UEFA-s pas një pune kërkimore të gjatë. Të pranishëm në këtë event madhor dhe shumë të rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e futbollit të vajzave ishin presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përfaqësuesja e FIFA-s, Arbenita Morina, përfaqësuesja e UEFA-s, Alyssa Lagonia, si edhe futbolliste, mësues, trajnerë, personalitete e legjenda të futbollit shqiptar, etj. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka përshëndeti dhe falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre në këtë ditë të rëndësishme për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar të vajzave. Duka nënvizoi se, strategjia ‘Rising Star 2023-2026’ ka si qëllim zhvillimin e futbollit të vajzave në Shqipëri, krijimin e kushteve më të mira për vajzat, promovimin e futbollit për vajzat, përmirësimin e elitës së futbollit, dyfishimin e vajzave futbolliste si edhe kualifikimin e ekipit kombëtar të vajzave në një kompeticion europian. “Ne jemi sot këtu jo thjesht për të prezantuar një dokument që quhet strategjia e futbollit të vajzave dhe grave në Shqipëri, por për të vënë objektivat e të ardhmes dhe strategjitë. Në radhë të parë do të doja t’ju falenderoja të gjithëve që jeni sot këtu dhe më vjen shumë mirë që ka shumë prezencë vajzash në sallë, kjo është një shenjë e mirë që jemi në rrugën e duhur. Fatmirësisht kemi edhe Ministren grua dhe dua ta falenderoj shumë jo vetëm që është sot këtu, por për mbështetjen që i jep futbollit në përgjithësi”, tha ai. “Bashkërisht kemi ndërtuar projekte, siç është ai i futbollit në shkolla, dhe bashkë do të zhvillojmë projekte akoma më të mëdha. E falënderoj edhe një herë Ministren, e falënderoj ambasadoren Valbona Selimllari, drejtuesit e klubeve, kryetarin e bashkisë dhe drejtuesin e ri të klubit ‘Gramshi’, Besin dhe pa dyshim që dua të falënderoj shumë dy përfaqësueset e FIFA-s, Arbenitën dhe UEFA-s, Alyssan”, u shpreh Duka. “Bashkërisht kanë punuar me stafin e Federatës për të hedhur në letër dokumentin që ne kemi sot përpara. Kjo strategji bazohet në eksperiencën që ne kemi në qëllimin e futbollit të vajzave në Shqipëri. Kemi filluar relativisht vonë por hapat kanë qenë të mirë dhe të kënaqshëm. Kemi shembuj pozitiv, kemi organizime pozitive, por kemi edhe rezultate siç është ai i ‘Vllaznisë’. Kulmi ishte me pjesëmarrjen në grupet e Champions League. Kemi vajza që mund të jenë shembull. Ky dokument apo kjo strategji për realizimin e objektivave të saj, mbështetet në ndryshimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për vajzat, në promovimin e futbollit për vajzat, në përmirësimin e elitës së futbollit siç është Vllaznia apo ekipet Kombëtare por edhe në politikën për të afruar sa më shumë vajza në futboll”, theksoi Duka. Ai falënderoi FIFA-n “për mbështetjen me projekte të dedikuara për futbollin e vajzave, gjithashtu edhe UEFA-n me mbështetjen, jo vetëm për hartim dokumentesh apo për të na treguar rrugën se si përmirësohet, por edhe me mbështetje konkrete dhe projekte financiare etj.”. “Jemi në fundvit dhe në prag të hartimit të buxhetit, e ftoj Ministren që të jetë një vit ku buxheti të përqëndrohet pak më shumë për futbollin e vajzave”, tha Duka.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments