Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare në COP28 do të jetë një detyrë e vështirë, deklaroi eurokomisioneri për Klimën, Wopke Hoekstra. Gjatë udhëtimeve të tij në Kinë, Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe Afrikë, përpara këtij samiti, Hoekstra vuri në dukje qëndrimet zyrtare dhe joformale të vendeve të ndryshme duke kërkuar për të gjetur kompromise, shpjegoi ai gjatë një interviste të organizuar nga European Newsroom që bashkon agjencitë evropiane të shtypit, përfshirë Agjencinë Telegrafike Shqiptare. ”Edhe duke bërë dallimin mes qëndrimeve formale dhe joformale, ne përballemi me një detyrë të mundimshme”, theksoi ai. ”Një nga pikat e mosmarrëveshjes ka të bëjë me krijimin e një fondi të humbjeve dhe dëmeve në të cilin do të kontribuonin vendet më të pasura dhe nga i cili do të përfitonin vendet veçanërisht të cenueshme”, theksoi ai. ”Besoj se Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, duhet të ishte një kontribues dhe jo një përfitues i fondit. Me gjithë këtë pasuri dhe gjithë këtë fuqi ekonomike, vijnë edhe përgjegjësitë. Ky është rasti i Kinës. Kështu është edhe për të tjerët”, tha ai. Për Hoekstran, nga fondi duhet të përfitojë vetëm një numër i kufizuar vendesh. Ai theksoi se ”fondi nuk synon të kompensojë humbjet dhe dëmet” si i tillë, por të sigurojë që një vend i goditur nga një fatkeqësi klimatike të ketë kapacitetin për të vazhduar”. ”Disa vende që shkojnë në COP28 madje nuk janë shumë të sigurt se kjo duhet të quhet humbje dhe dëm”, vuri në dukje ai. ”Është e rëndësishme vetëm që ne të shpjegojmë se cilat janë kriteret e pranueshmërisë dhe më pas do të duhet të krijohet fondi”, tha ai
ENR: E vështirë një marrëveshje për klimën në COP28
RELATED ARTICLES