Ambasada italiane në Tiranë, e cili mbështeti këtë event në Shqipëri, tha se aktivitetet në kuadër të kësaj jave ishin një eksperiencë e mrekullueshme, veçanërisht për fëmijët e Seksionit Dygjuhësh të shkollave “Shkolla e kuqe” dhe “Pjetër Budi”, të cilët provuan të përgatisin në një laborator një nga produktet italiane më të famshme në botë, akulloren. Fëmijët ia dolën me sukses këtij eksperimenti, nën drejtimin e shefave Pierandrea Giagnoli dhe Anila Nanushi. Ambasada Italiane në Tiranë i uroi fëmijët që përgatitën me përpikëri, përzgjodhën lëndët e para me shumë kujdes, por edhe përdorën makineritë italiane. Gjatë Javës së Kuzhinës Italiane në Botë, përfaqësitë diplomatike e kulturore nëpër botë, kremtojnë kuzhinën italiane dhe produktet tipike të këtij vendi. “Qëndrimi në tryezë, për ne italianët, është një mënyrë për të qenë së bashku, në një epokë që gjithnjë e më pak ndodh të flitet ballëpërballë. Ky është një rast i rëndësishëm për të ndarë dhe për t’u përballur, për t’u hapur ndaj të tjerëve e për të hapur dialogje me vendet e tjera”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.