Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAStoltenberg: Do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbajtur...

Stoltenberg: Do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbajtur një mjedis të sigurt në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Pas takimit, presidentja Osmani në konferencën e përbashkët për media me shefin e NATO-s tha se institucionet dhe populli kosovar është falënderues për mbështetjen e NATO-s për lirinë dhe paqen në Kosovë. Por kjo paqe, sipas presidentes Osmani, së fundmi është cenuar seriozisht dhe po vazhdon të cenohet. Ajo tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte një akt i pastër i agresionit kundër Republikës së Kosovës. “Nëse Serbia nuk përballet me asnjë masë për këto sulme të vazhdueshme, do të jetë një inkurajim i ri për të për të që të sulmojë Kosovën dhe ta destabilizojë rajonin serish. Në këtë kontekst, roli i NATO-s dhe i KFOR-it në parandalimin e destabilizimit jo vetëm të Kosovës është vendimtar, pasi që Serbia mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë”, theksoi Osmani. Ajo tha se Policia e Kosovës është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin me KFOR-in, duke shtuar se, “Kosova dhe NATO janë në njërën anë, terroristët janë në anën tjetër”. Stoltenberg, nga ana e tij, kujtoi se në protestat e muajit maj në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës u sulmuan trupat e KFOR-it, duke lënë 93 ushtarë të NATO-s të lënduar, ndër ta disa të lënduar rëndë. Ai tha se sulmet e tilla janë të papranueshme dhe kryerësit e këtyre sulmeve duhet të mbahen përgjegjës. “Do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjithë njerëzit në Kosovë. Stabiliteti në rajon vendoset nga të gjitha anët që duhet të zgjedhin diplomacinë mbi dhunën dhe t’i mbajnë zotimet ekzistuese”, theksoi Stoltenberg. Si masë për këto sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Stoltenberg tha se NATO ka sjellë 1 mijë trupa shtesë në Kosovë dhe armë më të rënda, si dhe kanë ngritur patrullimet në veri. Gjithashtu, ai tha se e mbështetë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) midis Kosovës dhe Serbisë. Përveç takimit me Osmanin, Stoltenberg do të zhvillojë takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Özkan Ulutaş. Paraprakisht, të dielën dhe të hënën, Stoltenberg qëndroi për vizitë zyrtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa pas vizitës në Kosovë ai do të udhëtojë drejt Beogradit ku do të takohet me kryeministren Ana Brnabiç dhe presidentin Aleksandar Vuçiq. Vizitën e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor do ta përmbyllë në Maqedoninë e Veriut.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments