Kina duhet të kontribuojë ndjeshëm më shumë në ndihmën humanitare të ofruar nga OKB-ja për civilët palestinezë, tha sot presidenca franceze, pas një telefonate midis presidentëve respektivë Emmanuel Macron dhe Xi Jinping. ”Deri më sot, mbështetja e Pekinit për agjencinë e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA) është jashtëzakonisht e kufizuar, rreth një milion dollarë në vit, dhe për këtë arsye ne nxisim në nivelin më të lartë autoritetet kineze të bëjnë shumë më tepër”, tha Elysée. ”Parisi gjithashtu i bën thirrje Pekinit, i cili është pak a shumë partneri i parë tregtar i çdo vendi në Lindjen e Mesme, që të jetë gjithashtu në gjendje të përdorë këtë ndikim për të shmangur çdo përshkallëzim në konfliktin midis Izraelit dhe Hamas”, shtoi ai. Sipas televizionit shtetëror kinez, të dy liderët “shkëmbyen pikëpamje mbi konfliktin izraelito-palestinez dhe të dy besojnë se prioriteti kryesor është shmangia e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës midis Palestinës dhe Izraelit, veçanërisht për të shmangur një krizë më serioze humanitare. “Kina është një aktor që peshon më shumë se më parë në rajon dhe ka një marrëdhënie të fortë me Iranin”, vëren një burim diplomatik francez. ”Gjëja e parë që presim nga Kina është të bashkojë përpjekjet e saj me tonat për të siguruar që ne të shmangim çdo përshkallëzim rajonal”, shtoi ai. Si Franca ashtu edhe Kina mbrojnë të ashtuquajturën zgjidhje “me dy shtete”, izraelite dhe palestineze.