Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREMoMa përkujton me tinguj Morriconen

MoMa përkujton me tinguj Morriconen

Nga ”Nuovo cinema paradiso” te ”C’era una volta il west” dhe akoma më shumë. ”Cinecittà” dhe Muzeu i Artit Modern (MoMa) në Nju Jork kujtojnë Ennio Morriconen (1928-2020), një nga kompozitorët më të mëdhenj të filmave të të gjitha kohërave, me një retrospektivë prej mbi 35 filmash që përfshin pothuajse 60 vitet e tij të karrierës, sipas ”La Repubblica”. Me më shumë se 17 restaurime të reja dixhitale dhe printime arkivore 35 mm, ekspozita, e hapur nga 1 dhjetori 2023 deri më 10 janar 2024 do të paraqesë një përzgjedhje të pasur filmash me kolonat zanore më të famshme të Morricones, përfshirë trilogjinë ”Man Nameless” nga Sergio Leone dhe ”Once Upon a Time in the West” apo ”The Thing” nga John Carpenter, ”Mission” nga Roland Joffé apo ”Nuovo Cinema Paradiso” nga Giuseppe Tornatore, krahas titujve më pak të njohur, të tillë si ”Navajo Joe” Sergio Corbucci apo ”The Big Shot” nga Sergio Sollima. Një program i rrallë televiziv gjerman i vitit 1967 tregon vetë Ennio Morriconen duke performuar si pjesë e ”Gruppo di Improvvisazione Nuova Consonanza”, një kolektiv radikal eksperimental i kompozitorëve dhe muzikantëve që u mblodhën në Romë në 1964 në një frymë johierarkike improvizimi. Kombinimi gjenial i instrumentimit klasik të Morricones me teknologjitë e reja elektronike, muzikën xhaz dhe zhurmat u pasqyrua edhe në kompozimin e tij për kinemanë. Përdorimi i tij i ndërgjegjshëm i harmonikave, flautit, këmbanave, kitarave twang, baterive dhe, mbi të gjitha, zërit njerëzor dhe i bilbilit, revolucionarizoi muzikën e kinemasë së zhanrit popullor, nga western-i në horror, nga komedia operistike te melodrama dhe vazhdon të ndikojë ende te kompozitorë dhe muzikantë bashkëkohorë si Hans Zimmer, Angelo Badalamenti, ”Radiohead”, John Zorn, Mica Levi, Jay-Z dhe ”Metallica”. Nicola Maccanico, CEO i ”Cinecittà” tha se ”ky homazh i kushtohet veçantisë së Ennio Morricones, maestros ikonë, kompozimet muzikore të të cilit kanë qenë burim frymëzimi për breza të panumërt. Si pjesë e këtij homazhi, ne jemi të emocionuar të prezantojmë restaurimin 4K të kryeveprës së Giuseppe Tornatores ‘Nuovo Cinema Paradiso’, së bashku me dokumentarin e tij të fundit, ‘Ennio”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments