Doli nga shtypi “Studime rreth shqipes së vjetër shek. XV-XVIII”, një përmbledhje e studimeve ndër vite të prof. Anila Omari, për gjuhën e teksteve të vjetra, të cilën autorja e ka cilësuar “shqipe e vjetër”. Kjo gjuhë është parë në mënyrë të thelluar si në fonetikë, gramatikë dhe në sintaksë, duke përfshirë si tekstet e arealit të Veriut, ashtu dhe ato të Shqipërisë së Mesme e të Jugut. “Njohja me shqipen e vjetër”, vëren në parathënien e veprës studiuesja Mimoza Kore, “ndihmon studiuesit, por dhe intelektualë të interesuar për këtë periudhë, për të çelur derën drejt së kaluarës dhe historisë që gjuhët e sotme e moderne nuk mund ta ofrojnë. Leximi i kësaj vepre të jep një ndjesi kulturore të të kuptuarit historik e që në thelb ndihmon si të mësojmë në mënyrë efektive nga e kaluara.” “Studime rreth shqipes së vjetër (shek. XV-XVIII)” nga prof. Anila Omari është një botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike – Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.