Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBorxhi publik zbret në nivelin 59.8 % e PBB-së, në 2024

Borxhi publik zbret në nivelin 59.8 % e PBB-së, në 2024

Niveli i borxhit publik në raport me PBB-në në fund të vitit 2024 planifikohet në nivelin prej 59.8%. Sipas treguesve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, stoku I borxhit publik zbret për here të parë që prej 2011 nën nivelin 60 % të PBB-së. Në vitin 2011 stoku i borxhit publik ishte 59.41 % e PBB-së. Në relacionin e projektbuxhetit për vitin 2024, Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se referuar parashikimeve të rritjes ekonomike, si edhe deficitit buxhetor të planifikuar për vitin 2023, niveli i borxhit publik në raport me PBB-në në fund të vitit 2023 parashikohet të ulet në rreth 61.5%, ndërkohë që në fund të vitit 2024 planifikohet në nivelin prej 59.8%. Huamarrja e brendshme gjatë vitit 2024 planifikohet në një vlerë prej 50 miliardë lekë, vlerë më e lartë kjo se huamarrja e brendshme në vitin 2023, në kushte ku parashikohet që gjatë vitit 2024 nuk do të jetë e nevojshme të dilet në tregje ndërkombëtare. Huamarrja e re në tregun e brendshëm pritet të realizohet kryesisht nëpërmjet titujve shtetërorë afatgjatë në përputhje me objektivat për reduktimin e risqeve, por gjithashtu duke ju përshtatur edhe preferencave të investitorëve për titujt. Huamarrja e huaj gjatë vitit 2024 vlerësohet të jetë rreth 36.6 miliardë lekë, dhe duke konsideruar borxhin e huaj që ripaguhet gjatë vitit, huamarrja neto e huaj pritet të jetë në nivele negative. Duke marrë në konsideratë deklaratat dhe vendimet e fundit të Rezervës Federale dhe BQE, këto institucione mund të vijojnë ndjekjen e politikave monetare shtrënguese edhe për të paktën vitin 2023 dhe kjo mund të vijojë edhe në fillimin e vitit 2024, si rrjedhojë mund të pritet një rritje e mëtejshme e normave të interesit në tregun e huaj. Në këto kushte, kostot për njësi të borxhit të huaj dhe atij të brendshëm, pritet të shënojnë rritje të mëtejshme krahasuar me vitin 2023, konkretisht për borxhin e jashtëm nga 3.4% në 4.3% dhe për borxhin e brendshëm parashikohet një rritje nga 4% në 4.4%. Për rrjedhojë, shpenzimet për interesa të borxhit, gjatë vitit 2024 janë planifikuar me një rritje prej rreth 9.8 miliardë lekë. Për sa i përket ripagesave të borxhit të jashtëm (principali), në vitin 2024 planifikohen të jenë në vlerën 52.1 miliardë lekë. Stoku i borxhit publik në përqindje të PBB-së për periudhën 2009-2022, i pritshmi për vitin 2023 dhe parashikimi për 2024-ën.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments