Miliarderi Elon Musk po konsideron tërheqjen e platformës së tij të medias sociale X, e njohur më parë si Twitter, nga Bashkimi Evropian.
”Miliarderi i teknologjisë është i pakënaqur me Aktin e Shërbimeve Dixhitale të BE-së (DSA)”, shkroi sot ”Business Insider” duke cituar një person të njohur me kompaninë.
Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA) detyron platformat e mëdha në internet të ndërmarrin veprime të qëndrueshme dhe të shpejta kundër gjuhës së urrejtjes, ndër të tjera.
X së fundmi ka marrë një sërë pyetjesh nga Komisioni Evropian, i cili dëshiron të dijë më shumë se si platforma e medias sociale i përmbush detyrimet e saj.
Kërkesa e komisionit pasoi provat se thirrjet për dhunë dhe dezinformim po përhapeshin në X pas sulmit ndaj Izraelit nga organizata ekstremiste palestineze Hamas.
Komisioneri i BE-së Thierry Breton iu referua ndër të tjera raporteve të imazheve të manipuluara dhe regjistrimeve të videolojërave të kaluara si regjistrime reale.
Shkeljet e DSA sjellin dënime të rënda.
Sipas ”Business Insider”, Musk ka diskutuar që X të mos jetë më i disponueshëm në BE ose të bllokojë aksesin për përdoruesit në rajon.
Musk, i lindur në Afrikën e Jugut, ka pushuar nga puna më shumë se gjysmën e fuqisë së tij punëtore pasi bleu kompaninë për rreth 44 miliardë dollarë në vitin 2022.