Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, deklaroi sot se përshkallëzimet e kohëve të fundit në veri të Kosovës kanë vërtetuar sa i rëndësishëm është bashkëpunimi mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij në Samitin e Berlinit, që po mbahet në Tiranë, Scholz theksoi se “ne duhet të përfundojmë më në fund zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur me anë të dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE-ja”.
“Shqipëria njihet për mikpritjen dhe kjo është vërtetuar edhe njëherë sot. Ne e kemi kuptuar edhe kur kemi pasur takimin e Këshillit Evropian. Për takime të shumta të nivelit të lartë e ministeriale në kuadër të procesit të Berlinit. Kanë qenë efikase e të përgatitura shumë mirë. E mbaj mend shumë mirë kur u takuam vjet në Berlin dhe të gjithë ramë dakord që Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm që të çlirohet potenciali i plotë i bashkëpunimit rajonal , por edhe për të përshpejtuar integrimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz.
Kancelari Scholz u shpreh se “ky vlerësim është po aq i vërtetë sot sa ka qenë edhe vjet. Procesi i Berlinit është një forum bashkëpunimi, kur bashkëpunimi është i nevojshëm, pra kërkohet më shumë se kurrë. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës edhe një herë ka treguar se sa e rëndësishme është që në të flasim me një zë të vetëm evropian dhe që ne të bashkëpunojmë edhe më tej”.
Duke iu drejtuar Kryeministrit Rama, Scholz tha se “siç e përmendet edhe ju në fjalimin tuaj është shumë e qartë që fakti që ne jemi të ulur këtu, ne dimë që kemi një situatë të re, shumë të vështirë, jo shumë larg nesh, që po ndodh tashmë me agresionin e Hamasit kundër Izraelit dhe të gjitha pasojat që ka dhe mund të ketë. Edhe krizat e shumëfishta në rajon në Ballkanin Perëndimor kanë theksuar nevojën urgjente për të punuar më shumë së bashku dhe për të tejkaluar antagonizmat”.
Ka ardhur koha, shtoi Scholz, për të tejkaluar konfliktet, të cilat kanë vijuar për shumë më gjatë dhe që në fakt ju kanë mbajtur dhe vetëm ju mbajnë juve, në vendnumëro.
“Jam shumë i kënaqur që për herë të parë ky samit organizohet në një vend të Ballkanit Perëndimor. Është një sinjal i fortë dhe thekson edhe pronësinë që ka rajoni në këtë proces dhe ne duhet ta përdorim këtë rast për t’u përqendruar tek objektivi që kanë të gjitha shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe ky është integrimi brenda për brenda rajonit dhe ecuria e mëtejshme në rrugëtimin drejt BE-së. Vitin e shkuar ju keni marrë disa hapa madhorë në lidhje me nënshkrimin e 3 marrëveshjeve të lëvizshmërisë dhe jam mirënjohës që 4 nga 6 shtete i kanë ratifikuar këto marrëveshje deri tani”, nënvizoi Scholz.
Kancelari Sholz u shpreh se “ndikimi i këtyre marrëveshjeve tek qytetarët e Ballkanit Perëndimor është konkret dhe se tashmë udhëtarët kalojnë kufijtë vetëm me kartën e identitetit, mund të studiojnë apo punojnë në një vend fqinj”.
“Çfarëdolloj ecurie që do të kemi për tregun e përbashkët rajonal është më konkret se kurrë. Mund të mbështeteni tek ne, tek Gjermania. Ky është Procesi i Berlinit”, përfundoi Scholz.