Presidenti rus Vladimir Putin dënoi sot sulmet terroriste në shkallë të gjerë nga Hamasi ndaj Izraelit për herë të parë pas gjashtë ditësh luftimesh. “Izraeli është përballur me një sulm historikisht të paprecedentë si në aspektin e shkallës ashtu edhe brutalitetit”, tha Putin gjatë një vizite në kryeqytetin e Kirgistanit Bishkek, duke folur në samitin e Komonuelthit të Shteteve të Pavarura. “Izraeli, natyrisht, ka të drejtën të garantojë sigurinë e tij”, tha lideri rus në një konferencë për shtyp. Në të njëjtën kohë, Putin akuzoi Izraelin se ishte përgjigjur “me metoda mjaft brutale” ndaj dhunës së nisur nga militantët palestinezë nga Gaza. Putin bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe ofroi edhe një herë Rusinë si ndërmjetëse në konflikt. Në një reagim ndaj sulmeve të Hamasit të shtunën e kaluar, Putin fillimisht fajësoi SHBA-në për dhunën. “Politika e Uashingtonit për Lindjen e Mesme ka dështuar pasi nuk është kërkuar një kompromis i pranueshëm nga të gjitha palët”, tha ai me herët.