Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë si dhe Fakulteti i Ekonomisë të Universitetit të Tiranës njoftojnë studentët dhe stafin akademik se dita e hënë do të jetë pushim, për shkak të masave të marra nga policia në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që mbahet në në Tiranë.
Në njoftimin zyrtar, Fakulteti i Ekonomisë thekson se “me vendim të Dekanatit, për arsye të masave të marra për bllokimin e rrugëve në zonën ku ndodhet godina e Fakultetit të Ekonomisë edhe për këmbësorët, për shkak të zhvillimit të Samitit të Berlinit në Tiranë, njoftohen studentët dhe stafi se dita e hënë datë 16 Tetor 2023 do të jetë pushim dhe do të zëvendësohet një ditë tjetër”.
Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Sabri Laçi thekson në njoftimin zyrtar se “dekanati, përmes komunikimit me e-mail lidhur me kufizimet e qarkullimit në Tiranë, të njoftuar nga institucionet shtetërore për bllokimin e rrugëve në zonën ku ndodhet Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, për shkak të zhvillimit të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë vendosi që e hëna datë 16.10.2023, të jetë ditë pushimi për studentët, stafin akademik dhe atë ndihmës”.
Ai thekson se orët e mësimit e të punës do të zëvendësohen një ditë tjetër, sipas agjendave të autoriteteve drejtuese të njësive bazë dhe personave të tjerë përgjegjës.