Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKonferenca “Roli i Parlamenteve në Procesin e Berlinit”

Konferenca “Roli i Parlamenteve në Procesin e Berlinit”

Konferenca parlamentare me temë “Roli i Parlamenteve në Procesin e Berlinit”, e bashkorganizuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe projekti “Diplomacia Parlamentare: Bashkëpunimi rajonal përmes dialogut të zgjeruar parlamentar”, projekt i zbatuar nga një konsorcium i udhëhequr nga Instituti për Demokraci, i mbështetur nga Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë, si dhe me mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, u mbajt sot në Tiranë. Në takim morën pjesë anëtarë të komisioneve parlamentare për Integrim/Çështjeve Evropiane nga Rajoni i Ballkanit Perëndimor. Deputetët e parlamentit të Malit të Zi morën pjesë në konferencë si të ftuar të drejtpërdrejtë të projektit. Deputetët e Bundestagut gjerman morën pjesë në konferencë si të ftuar. Në këtë veprimtari rajonale morën pjesë edhe përfaqësues të qeverisë shqiptare, Delegacioni i Bashkimit Evropian me seli në Tiranë, Trupit Diplomatik dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Në përfundim të konferencës, pasi u diskutua mbi rolin e parlamentit në Procesin e Berlinit dhe sfidat në të ardhmen, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe përfaqësues të parlamenteve, pjesëmarrës në Konferencë nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët të dakordësuar. Në deklaratë thuhet se, duke marrë parasysh Përfundimet e udhëheqësve të Samitit të Poznanit të Ballkanit Perëndimor 2019, në të cilat u njoh rëndësia e angazhimit të parlamenteve, deklarata e përbashkët e Takimit të COSAP të mbajtur në Tiranë, në janar 2020, në të cilën pjesëmarrësit përsëritën rëndësinë e krijimit të dimensionit parlamentar të Procesit të Berlinit, i cili do të kontribuonte në përmirësimin e bashkëpunimit ndërparlamentar në rajon dhe do ta ngrinte atë në një nivel më të lartë institucional, do të njohë nevojën e vendosjes së bashkëpunimit parlamentar në kuadër të Procesit të Berlinit; Duke përshëndetur angazhimet e marra në Procesin e Berlinit për forcimin e bashkëpunimit në Rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes hapave konkretë siç janë marrëveshjet e ndryshme ndërmjet pjesëmarrësve; Duke pasur parasysh se angazhimet e mëtejshme janë në proces në kuadër të Procesit të Berlinit; Duke marrë parasysh rëndësinë e informimit të popullatës për vendimmarrjen, veçanërisht për të gjitha veprimtaritë në kuadër të bashkëpunimit rajonal; Pas Samitit të Procesit të Berlinit të Tiranës, që theksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për një rajon më të fortë në aspektin ekonomik, politik dhe social; Për më tepër, duke pasur parasysh rëndësinë e parlamenteve në një shoqëri demokratike, duke qenë të vetëdijshëm dhe duke ndarë plotësisht parimet bazë të procesit të Berlinit; Ne, anëtarët e Parlamenteve të pranishëm në këtë Konferencë dhe në prani të aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, deklarojmë se: Ne besojmë se parlamentet, si përfaqësues të qytetarëve tanë, duhet të jenë pjesë integrale e Procesit të Berlinit, për të shtyrë përpara angazhimet e marra në këtë proces, por edhe për të kontribuar në mënyrë konstruktive për ato që do të ndërmerren në të ardhmen; Ne jemi të përkushtuar të mbështesim çdo nismë të ndërmarrë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe të paraqitur në parlament, për të shtyrë përpara të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e tyre; Ne jemi të përkushtuar të mbështesim fuqishëm çdo nismë ligjore që synon përafrimin me Acquis dhe që është në kuadër të procesit të Berlinit; Ne inkurajojmë Presidencat e ardhshme të Procesit të Berlinit që të përfshijnë Parlamentet në Procesin e Berlinit në mënyrë të qëndrueshme dhe efektive duke marrë parasysh rolin e tij në vendimmarrje; I bëjmë thirrje Qeverisë që të informojë vazhdimisht Parlamentin për angazhimet e marra ndërmjet pjesëmarrësve në Procesin e Berlinit; Ne vlerësojmë rolin kyç të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (KBR) në lehtësimin e zbatimit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe për përpjekjet e tij në mbështetjen dhe lehtësimin e një roli më të fortë të Parlamenteve në Procesin e Berlinit dhe të tjera, agjendën e integrimit rajonal, dhe fton Sekretariatin e KBR-së që të vazhdojë një mbështetje të tillë, edhe përmes komunikimit efektiv me parlamentet e rajonit për progresin në lidhje me agjendën e integrimit rajonal; Ne vlerësojmë kontributin dhe mbështetjen për serinë e veprimtarive që po zhvillohen në Shkup, Tiranë dhe gjetkë në Ballkanin Perëndimor nga projekti “Diplomacia Parlamentare: Bashkëpunimi Rajonal përmes dialogut të zgjeruar parlamentar” i zbatuar nga një konsorcium i udhëhequr nga Instituti për Demokraci, i mbështetur nga Zyra e Jashtme Federale e Gjermanisë, si dhe kontributi dhe mbështetja nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në emër të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). Kjo deklaratë do t’i dërgohet Komisionit për Integrim Evropian të parlamentit të Malit të Zi për informacion dhe shqyrtim të mëtejshëm.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments