Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEPullat RETRO të koleksionit shqiptar të mjeteve historike

Pullat RETRO të koleksionit shqiptar të mjeteve historike

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në bashkëpunim me Postën Shqiptare e në vijimësi të projektit Retro Albania, koleksionit shqiptar të mjeteve historike si pjesë e trashëgimisë së Automotorizmit Shqiptar dhe zhvillimit të saj, në jubileun e 110-vjetorit të Pullës Postare Shqiptare, zbuloi sot një koleksion të shumëpritur të pullave postare me tematikë automotive.

Një takim mblodhi së bashku entuziastë, koleksionistë dhe adhurues të automobilave dhe pullave postare në ambientet e Muzeut të Pullës Shqiptare për të dëshmuar këtë moment historik.

Koleksioni i pullave postare me temë automobilistike, është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të DPSHTRR-së dhe Postës Shqiptare për të nderuar dhe vënë në pah aspekte të ndryshme të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.

“Automjetet e përzgjedhura për të qenë pjesë e pullave postare janë ato që kanë lënë një ndikim në historinë e automotorizmit shqiptar, të cilat për nga karakteristikat e zhvillimeve historike të vendit tonë nuk janë të shumta dhe si të tilla duhet të jemi të kujdesshëm t’i ruajmë më së miri në memorien e gjithsecilit prej nesh”, thuhet në njoftimin për shtyp të DPSHTRR-së.

Ndër mjetet e paraqitura në këtë koleksion të veçantë janë modelet klasike dhe ikonike të tilla si: autovetura e parë e cila ka hyrë në Shqipëri e modelit FIAT; automjeti Fiat 508 C “Balilla 1100” (Fiat 1100) e përdorur nga ish-diktatori Enver Hoxha përgjatë Luftës së Dytë Botërore; motori me kosh DNEPR M-72 pjesë e flotës ushtarake; kamioni GAZ-69 i cili ka qenë pjesë e flotës ushtarake të Shqipërisë; ZIS 110 limuzinë sovjetike e cila ka qenë pjesë e flotës së mjeteve të Parkut të Delegacioneve; Fiat 900T mjeti i përdorur nga policia në kohën e regjimit.

Po ashtu pjesë e pullave RETRO është edhe Skoda 701MT, modeli i kamionit me të cilin Ylli Bodinaku përplasi murin e Ambasadës gjermane në Tiranë më 2 Korrik 1990. “Ky kamion, sot nuk është një monument historik pasi nuk u ruajt. Kur Bodinaku, shoferi i tij historik, emigroi në Gjermani, Skodën e shkatërruan, duke humbur përgjithmonë një dëshmitare që e barti historinë mbi katër rrotat e saj”, thuhet në njoftim.

Të tjera automjete të përfshira janë edhe skoda 706 RTO i cili ka shërbyer si mjet i transportit publik në Shqipëri si dhe zjarrëfiksja JIEFANG CA10 e cila i ka shërbyer ushtrisë shqiptare.

“Koleksionistët e pullave postare dhe entuziastët e mjeteve me vlerë historike pritet të jenë të entuziasmuarit në linjën e parë të këtij publikimi. Këto pulla shërbejnë jo vetëm si elementë të dërgimit të postës por edhe si koleksione të dashura me vlerë për çdo portofol koleksionuesi”, thuhet në njoftim.

Përgjatë eventit, Blendi Gonxhja, drejtor i përgjithshëm i DPSHTRR-së së bashku me Ardit Demiri, drejtor i përgjithshëm i Postës Shqiptare shprehën vlerësimin për këtë koleksion unik të pullave, duke theksuar rëndësinë e pullave me temë automobilistike dhe kontributin e tyre në promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Nga tetori 2023, pullat me temë automobilistike janë të disponueshme për t’u blerë në Zyrat Postare në të gjithë vendin, ku cilido që do të dërgojë një postë ndryshe përzgjedh ato me mjetet historike shqiptare. Lançimi i kësaj serie pullash me temë automobilistike është nderim për historinë e automotorizimit shqiptar dhe një xhevahir i shtuar i saj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments