Historia artistike e familjes Jorganxhi mblodhi gjatë fundjavës, korçarët por jo vetëm, në një mbrëmje që dhuroi shumë emocione.
Mbrëmja e titulluar “Jorganxhi Story” u realizua në skenën e Teatrit “Andon Z. Çajupi” të Korçës. Në një sallë të tejmbushur me artdashës u përcoll me profesionalizëm gjithë krijimtaria e familjes Jorganxhi, nga vetë anëtarët e familjes dhe artistë të tjerë.
Mbrëmja Gala iu kushtua familjes së jashtëzakonshme korçare që ka nxjerrë muzikantë e poetë të njohur, mes të cilëve: Gaqo Jorganxhi, Rozmari e Zhuliana Jorganxhi si dhe Rikardo, Gjergj, Hektor, Lambert e Dorina.
Pjesët e zgjedhura nga krijimtaria e tyre muzikore, zgjatën për gati 3 orë dhe u duartrokitën nga artdashësit e qytetit të Korçës, por edhe spektatorë të ardhur nga Tirana.
Mbrëmjen e bënë më të bukur kujtimet e artistëve anëtarë të kësaj familjeje të nderuar si dhe video-mesazhet nga artistë të tjerë e miq të saj.
Në një postim në rrjetet sociale, prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole u shpreh se, familja Jorganxhi është një vlerë e shtuar për artin në Shqipëri dhe një krenari për Korçën.