Për të nëntin vit me radhë u zhvillua Festivali Folklorik Mbarëkombëtar i Talenteve të Reja, me pjesëmarrjen e grupeve folklorike nga treva të ndryshme shqiptare. Organizatorët e këtij festivali ishin Bashkia Pukë, dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve Pukë. Grupet pjesëmarrëse, për dy ditë me radhë performuan me këngët, vallet, meloditë dhe kostumet e trevave të tyre, të cilat janë vlera të trashëgimisë dhe kulturës tonë kombëtare. Përveç ansambleve vendase, në këtë festival ishin pjesëmarrës edhe grupe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Presheva. Anëtarët e ansambleve folklorike kanë parakaluar në rrugët e qytetit të Pukës, duke performuar me kostumet kombëtare. Çmimin inkurajues e ka marrë Shoqëria kulturore “Tuz” nga Mali i Zi; Çmimi i ruajtjes së trashëgimisë dhe kostumeve popullore, iu dha grupit artistik të Gramshit dhe grupit “Fan”, nga Mirdita; Çmimi i publikut shkoi për ansamblin “Kaltërsia” nga Tirana; Çmimi i tretë iu dha shoqërisë kulturore Azis Ndreu, një legjendë e rapsodisë shqiptare, gjithashtu edhe ansamblit Fan të Mirëditës dhe ansamblit “Kaltërsia”. Çmimi i dytë iu dha ansambleve Devoll dhe Fushë-Arrëz; Çmimi për zërin më të bukur të festivalit iu dha Klara Currit. Çmimi i parë shkoi për shoqërinë kulturore artistike “Shote Galica”, Drenas.