Zëvendësndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Politikat Europiane dhe të NATO-s, Spencer Boyer bashkëkryesoi konsultimet dypalëshe në fushën e Mbrojtjes SHBA-Shqipëri në Tiranë, me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Mbrojtjes, Gelardina Prodani, njoftoi sot ambasada e SHBA në Tiranë. Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi mbajti fjalën e hapjes. Delegacionet ndanë këndvështrimet mbi klimën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pas pushtimit të pajustifikuar dhe brutal të Ukrainës nga Rusia. Palët diskutuan gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm dypalësh në fushën e sigurisë, i cili synon zhvillimin e aftësive të ushtrisë shqiptare për këmbësorinë, forcat ajrore dhe kontrollin e municioneve shpërthyese, si dhe mbrojtjen kibernetike. Gjithashtu, u diskutuan përpjekjet për të rritur kapacitetin institucional të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë për menaxhimin e efektshëm të logjistikës dhe burimeve, si dhe rekrutimin dhe mbajtjen e personelit. Aktiviteti kulmoi me nënshkrimin nga bashkëkryesuesit të një dokumenti kuadër, i cili synon të drejtojë zbatimin e vazhdueshëm të nismave dypalëshe të bashkëpunimit për sigurinë. Udhëheqësit ripohuan rëndësinë e partneritetit strategjik SHBA-Shqipëri për të mbrojtur vlerat e përbashkëta dhe çuar përpara të interesave të përbashkëta në fushën e sigurisë.