Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva bëri thirrje për një luftë të vendosur kundër ndryshimeve klimatike dhe pabarazisë sociale në rritje, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork. “Kriza klimatike po troket në derë dhe po shkatërron atdheun tonë”, tha sot lideri i vendit më të madh të Amerikës Latine në Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Njerëzit në vendet e varfra po vuajnë veçanërisht keq nga ndryshimet klimatike, të cilat shkaktohen kryesisht nga bota e zhvilluar”, tha Lula. Ai u bëri thirrje sërish vendeve të pasura të japin 100 miliardë dollarë në vit për mbrojtjen e klimës në vendet në zhvillim, një premtim i kahershëm që ka mbetur i paplotësuar. Presidenti brazilian bëri thirrje gjithashtu për më shumë veprime në luftën kundër dhunës ndaj grave, si dhe forcimin e të drejtave të homoseksualëve dhe personave me aftësi të kufizuara. Në dritën e tensioneve gjeopolitike në rritje, Lula paralajmëroi per rrezikun ndaj përpjekjeve për të ndarë botën në zona ndikimi dhe për të ringjallur Luftën e Ftohtë. “Lufta në Ukrainë e bën të qartë se ne të gjithë jemi të paaftë për të zbatuar qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së. Promovimi i një kulture paqeje është detyrë e të gjithëve ne”, tha Lula.