Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u zhvillua një konferencë për shtyp, në prag të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor. Drejtoresha e përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina u shpreh se është e lumtur dhe e nderuar që në një bashkëpunim me “Harabelin” është arritur në një kohë rekord, të krijohet diçka që do të ngelet në kujtesën jo vetëm të artistëve por edhe të të gjithë publikut shqiptar. “Artistit më shumë se arti nuk i flet absolutisht asnjë gjë”, u shpreh Voshtina duke i lënë më pas radhën ministres Margariti e cila bëri edhe një rezyme të shkurtër të punës së bëre jo vetëm me TKOB por me të gjitha institucionet dhe partnerët që kanë përqafuar filozofinë e të kthyerit të Tiranës nga një kryeqytet periferik i Evropës, në një qytet që gjallon përmes artit e kulturës. “Është vitit i dytë i një ritakimi të rëndësishëm dhe nuk është takim rastësor. Jemi fatlum e të nderuar që Preljocaj ka pranuar edhe këtë vit të jetë pjesë e këtij festivali, duke kthyer vëmendjen e të gjithë botës tek ne”, u shpreh Margariti, referuar Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor. Ministrja ka përgëzuar jo vetëm drejtoreshën Abigeila Voshtina për pranimin e sfidave të një kalendari ambicioz, por edhe trupën artistike dhe stafin administrativ të TKOBAP, të cilët kanë një meritë të veçantë. Ministrja falenderoi gjithashtu Qendrën “Harabel”, themeluar nga Ajola Xoxa dhe D18 Paris për mbështetjen e rëndësishme për kontatet e para e logjistikën. Kultura, sipas ministres, është një sektor që jo vetëm kërkon por edhe jep. Këtë e tregon rritja e numrit të vizitorëve në sistet e trashëgimisë si edhe ndjekësit e shfaqjeve të vëna në skenë. “Vitin e parë të realizimit të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor, TKOB hapi dyert për të mikpritur këtë event, ndërsa këtë vit Teatri dhe Ministria janë në kontratë si bashkëprodhues”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Ky është festival i rëndësishëm, i dimensioneve të mëdha, e si i tillë është biseduar me kompanitë që ndihmuan në realizimin e tij për ta kthyer në një bienale.