Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka paralajmëruar homologun e tij kinez, Li Qiang për ”shqetësimet e rëndësishme” në lidhje me ndërhyrjen e Pekinit në demokracinë parlamentare britanike, pas arrestimit të një studiuesi, i dyshuar për spiunazh. Sunak u takua sot me Li Qiang në samitin e G20-s në Nju Delhi, disa orë pasi dolën njoftimet për dy arrestime në MB sipas Aktit të Sekreteve Zyrtare. Njëri është një studiues që ka pasur lidhje me disa anëtarë të lartë të parlamentit, përfshirë ministrin e Sigurimit, Tom Tugendhat dhe kryetaren e Komitetit të Punëve të Jashtme, Alicia Kearns. ”Britaniku u arrestua së bashku me një burrë tjetër nga oficerët më 13 mars me dyshimin për spiunazh për Pekinin”, u zbulua nga ”Sunday Times”. Një zëdhënës i Number 10 tha se “kryeministri u takua me Li Qiang dhe përcolli shqetësimet e tij të rëndësishme për ndërhyrjen kineze në demokracinë parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar”. Sunak tha se konfrontimi i tij me Li për akuzat “qartësisht të papranueshme” është një shembull i angazhimit. Duke folur për median, Sunak tha se ”padyshim që nuk mund të komentoj mbi specifikat e një hetimi në vazhdim, por, në lidhje me takimin tim me kryeministrin Li…, ngrita një sërë shqetësimesh të ndryshme që kemi në fushat e mosmarrëveshjeve, dhe në veçanti shqetësimet e mia shumë të forta për ndërhyrjet në demokracinë tonë parlamentare, e cila është padyshim e papranueshme”. “Dhe, në fakt, unë mendoj se gjëja e duhur për të bërë është të shfrytëzojmë mundësinë për t’u angazhuar për të ngritur shqetësimet në mënyrë specifike”, theksoi ai.
Sunak paralajmëron Li për ndërhyrjen kineze në parlamentin britanik
RELATED ARTICLES