Saturday, November 23, 2024
HomeMJEDISRigjenerimi i Pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri

Rigjenerimi i Pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri

“Iniciativa e Pyjeve Veriore: Rigjenerimi i Pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri” është projekti i ri i Zyrës Rajonale të IUCN për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (IUCN ECARO) në bashkëpunim me Shoqatën Ekologjike të Maqedonisë (MES) dhe Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). Si pjesë e “Iniciativës së Pyjeve Veriore” globale, financuar nga Fondacioni Suedez Postcode, projekti synon të kontribuojë në restaurimin, mbrojtjen dhe ruajtjen veçanërisht të pyjeve të rëndësishëm në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, si dhe të forcojë kapacitetin dhe angazhimin e aktorëve lokal, rajonal e kombëtar, për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve. Inaugurimi i projektit u realizua në një takim në Mavrovë. “Rivitalizimi i pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri është i rëndësishëm për vendet tona, por edhe për përmbushjen e synimeve evropiane nga Strategjia BE-së për Pyjet deri në vitin 2030, sepse ekosistemet natyrore nuk njohin kufij dhe kërkojnë menaxhim të harmonizuar dhe të qëndrueshëm. Ne përpiqemi për mbrojtjen e tyre, por në të njëjtën kohë mbështesim edhe funksionin e tyre social-ekonomik për të siguruar prosperitetin e zonave rurale dhe për të nxitur një bio-ekonomi të qëndrueshme të bazuar në pyje”, theksoi ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Fizik, Kaja Shukova në fjalën përshëndetëse. Gjatë dy dekadave të shkuara, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë pësuar humbjen e sipërfaqes totale të drurëve me 5.5 % dhe 6.5 % secila, sipas Global Forest Watch. Këto trende alarmante shtrihen edhe në rajonet e pasura në biodiversitetit, duke përfshire habitatet kritike për mbijetesën e Rrëqebullit të Ballkanit, i rrezikuar në mënyrë kritike, si dhe në korridoret ekologjike jetike për jetën e egër që lidhin zona pyjore kombëtare dhe ndërkufitare. Pasojat e ndryshimeve klimatike kanë intensifikuar gjithashtu dëmtimet nga zjarret në të gjithë rajonin, duke çuar në zvogëlimin e larmisë dhe elasticitetit të ekosistemeve pyjore, duke i bërë ato më të ndjeshme ndaj dëmtuesve dhe sëmundjeve. “Fondacioni Suedez Postcode ka një angazhim afatgjatë për të luftuar ndryshimin kilmatik dhe ruajtjen e biodiversitetit. Parandalimi i shpyllëzimit dhe shfrytëzimit, si dhe ruajtja dhe restaurimi i pyjeve janë mjete efektive dhe domosdoshmëri. Prandaj, ne filluam Nismën e Pyjeve Veriore pasi pyjet boreale dhe ato të buta të Evropës, Amerikës së Veriut, Kaukazit dhe Azisë Qendrore luajnë një rol të rëndësishëm si për klimën ashtu edhe për biodiversitetin, por shpesh kanë më shumë vëmendje. Duke I dhënë mundësi IUCN-së për të avancuar menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut është diçka që ne e presim me shumë dëshirë”, tha Marie Dahllör, Sekretare e Përgjithshme e Fondacionit Suedez të Postcode. Projekti synon të veprojë kundër humbjes së mëtejshme të pyjeve, duke nisur përpjekjet restauruese në peizazhet kyçe të biodiversitetit përtej Zonave të Mbrojtura. Duke zbatuar Zgjidhjet-bazuar në Natyrë (Nature-based Solutions, NbS), projekti do të fokusohet në restaurimin e peizazheve në zona të rëndësishme për ruajtjen e Rrëqebullit e Ballkanit, konkretisht në Bukoviq në Maqedoninë e Veriut dhe Pashtrik-Morinë në Shqipëri. Përpjekjet për restaurim do të sjellin përfitime të shumta duke përfshirë edhe sekuestrimin e karbonit dhe përmirësimin e elasticitetit të ekosistemit. Përtej rezultateve të drejtpërdrejta, projekti luan një rol kyç në ndërtimin dhe përpjekjet e ardhshme të restaurimit, duke u përafruar me Sfidën e Bonit (Bonn Challenge) dhe duke promovuar menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në të dyja vendet. Hapja e eventit paraqiti prezantime të hollësishme nga ekspertët dhe partnerët zbatues, duke hedhur dritë mbi situatën aktuale të pyjeve në rajon dhe urgjencën për përpjekje restauruese. Të pranishmit u angazhuan në diskutime rreth aktiviteteve kryesore të projektit dhe eksploruan mundësitë për partneritete të ardhshme dhe nisma bashkëpunuese. Përfaqësues nga autoritete të ndryshme kombëtare dhe lokale nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, së bashku me përfaqësues nga organizata dhe OJQ ndërkombëtare, nga komunitete të konservimit dhe akademisë që morën pjesë në takim, theksuan mbështetjen e gjerë të projektit. “Ky projekt tregon një hap vendimtar drejt rinovimit të pyjeve, të cilët janë jetikë për shëndetin e ekosistemeve dhe mirëqenien e komuniteteve tona.” – theksoi Boris Erg, drejtori i Zyrës Rajonale Evropiane të IUCN-së, “për më tepër, tregon përkushtimin për restaurimin dhe mbrojtjen e ruajtjen e ekosistemeve pyjore në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Zbatimi i Zgjidhjeve të bazuara në Natyrë (Nature-based Solutions, NbS) është një hap i rëndësishëm për restaurimin e pyjeve të degraduara, duke mundësuar menaxhimin e qëndrueshëm të tyre dhe duke rritur kështu elasticitetin përballë ndryshimeve klimatike. Aksioni i përbashkët i aktorëve kryesorë të restaurimit dhe përkushtimi i treguar sot këtu, jep shpresë për një të ardhme më të shndritshme, më të qëndrueshme.” Projekti dyvjeçar do të fokusohet në restaurimin veçanërisht në zona pyjore të rëndësishme, në dy zona prioritare, të përzgjedhura në bazë të Metodologjisë së Vlerësimit të Mundësive të Restaurimit (Restoration Opportunities Assessment Methodology – ROAM) dhe forcimin e kapaciteteve të aktorëve lokal, kombëtar dhe rajonal, si dhe angazhimin në aspektin e menaxhimit dhe restaurimit të pyjeve nëpërmjet trajnimeve, seminareve dhe punës ndërgjegjësuese.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments