Muaji shtator sjell në Tiranë një ngjarje kulturore me rëndësi për komunitetin e adhuruesve të kinematografisë. Edicioni i 21-të i Tirana International Film Festival do të mbahet nga data 23 deri në 29 shtator. Prej këtij festivali filmi, nga më jetëgjatët në vend, përzgjidhen edhe filma të cilët kualifikohen për të garuar në Oscar® dhe European Film Awards. Filmi më i mirë i shkurtër do të kualifikohet për Çmimet Oscars® 2024 si dhe European Film Awards 2023. Filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në TIFF kanë të drejtë të konkurrojnë për Çmimet Student Academy® (SAA). TIFF është gjithashtu që prej vitit 2013 pjesë e 110 festivaleve më të rëndësishme në botë, që ndiqen me vëmendje të posaçme online, por edhe fizikisht nga HFPA – Hollywood Foreign Press Associations. Në edicionin e këtij viti janë përzgjedhur 192 filma nga të cilët 158 filma të shkurtër dhe 34 filma të metrazhit të gjatë dhe 10 skenarë. Por prurjet fillestare ishin shumë herë më të mëdha. Organizatorët i kanë bërë këto përzgjedhje mes 3500 aplikimesh, nga 112 vende të botës. Të gjithë filmat e përzgjedhur janë premiera kombëtare, por janë edhe shumë premiera botërore, ndërkombëtare, europiane dhe rajonale.