Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIEksportet e verës u rritën me 4.5 herë gjatë 7-mujorit 2023

Eksportet e verës u rritën me 4.5 herë gjatë 7-mujorit 2023

Vera shqiptare është një tjetër produkt që po gjen çdo ditë e më shumë terren në tregjet e huaja, kjo si rrjedhojë e investimeve që kanë bërë fabrikat dhe kujdesit që po i kushtojnë cilësisë së prodhimit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, gjatë periudhës janar-korrik 2023, eksporti i verës, mushtit të rrushit dhe vermuthit është rritur me 4.8 herë në sasi, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë këtij 7 mujori janë eksportuar 41.5 tonë sasi nga vetëm 8.6 tonë që u eksportuan një vit më parë. Për këtë periudhë të ardhurat nga shitja e verës për eksport rezultojnë 4.5 herë më të larta, duke u regjistruar në afro 58 milionë lekë. MBZHR po mbështet zhvillimin e sektorit që bart potenciale të mëdha për rritjen e mëtejshme të eksporteve, por edhe për të orientuar konsumin e brendshëm drejt produkteve shqiptare. Krahas mbështetjes me subvencione dhe grante së fundmi, falë një pune të madhe nga ekspertët e MBZHR-së, Shqipëria është bërë shteti i 50-të në botë i anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV), gjë që do t’i japë më shumë mundësi prodhuesve për të depërtuar më shumë në tregjet e huaja, për të krijuar ura bashkëpunimi si dhe për t’u njohur me kultivarë dhe teknologji të reja të prodhimit. Po ashtu, ligji i ri i vreshtarisë i cili hyn në fuqi në vitin 2024, do të jetë një tjetër instrument në të mirë të sektorit, i cili do të vendosë rregulla të reja, kontroll të shtuar si dhe pritet të ndikojë në rritjen e formalizimit, si problemi kryesor që vuan aktualisht sektori. Ndërsa investimet në industrinë e përpunimit të verës me mbështetjen e programit IPARD II kanë qenë një tjetër nxitje për zhvillimin e sektorit sipas standardeve më të mira, që sot kanë sjellë dhe rritje të eksporteve të këtij sektori.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments