Në Elbasan, 114 vjet më parë u mbajt Kongresi ku u vendos për hapjen e shkollës së parë të mesme shqipe kombëtare, e cila i hapi dyert e saj për herë të parë më 1 dhjetor 1909, me 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria. Kongresi i Elbasanit që nisi punimet më 2 shtator 1909, shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar. Ky kongres i hapi rrugën shkollimit laik në trevat shqiptare dhe vendosi për themelimin në qytetin e Elbasanit të një shkollë të mesme pedagogjike, e cila u quajt Shkolla Normale, për përgatitjen e mësuesve që do të punonin në zhvillimin e arsimit kombëtar.