Instituti i Statistikave (INSTAT) bën të ditur se, Censi i Popullsisë dhe Banesave do të fillojë më 18 shtator të këtij viti. Drejtoresha e Instat, Elsa Dhuli tha për mediat se, tashmë është rekrutuar stafi i cili do të trokasë në çdo shtëpi për të mbledhur informacion për “Censin 2023”. “Censi është një fotografim i çastit i të gjithë banorëve rezidentë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Data 18 shtator, konsiderohet dita e censit dhe është dita në të cilën Instat do të fillojë procesin e mbledhjen e të dhënave në terren. Janë afërisht 7000 vetë, stafi që kemi rekrutuar”, tha ajo. Pyetësori përmban rreth 100 kategori pyetjesh dhe vetëm tre prej pyetjeve që lidhen me besimin, etninë dhe fenë do të jenë opsionionale për t’u përgjigjur. Dhuli theksoi se, “referuar ligjit të censit të popullsisë dhe banesave, të gjithë banorët që janë rezidentë në territorin e Republikën e Shqipërisë kanë për detyrë t’i përgjigjen këtij pyetësori. Këtu do të dalloja tri pyetje, të cilat janë pyetje opsionale, jodetyruese dhe të cilat përmbajnë edhe të drejtën për të mos u përgjigjur”. Mbledhja e informacionit në terren do të realizohet me anë të tabletëve dhe do të zgjasë 6 javë ndërsa rezultatet paraprake parashikohet të jenë gati në qershor të vitit të ardhshëm.
Censi i Popullsisë dhe Banesave fillon më 18 shtator
RELATED ARTICLES