Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREMichel: BE-ja dhe shtetet kandidate të jenë gati për zgjerim

Michel: BE-ja dhe shtetet kandidate të jenë gati për zgjerim

Për të qenë të besueshëm, besoj se duhet të flasim për kohën dhe detyrat e shtëpisë. Dhe unë kam një propozim. Ndërsa përgatitim axhendën e ardhshme strategjike të BE-së, ne duhet t’i vendosim vetes një objektiv të qartë. Unë besoj se duhet të jemi gati – nga të dyja anët – deri në vitin 2030 për t’u zgjeruar, deklaroi sot presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. ”Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm afatgjatë i BE-së do të duhet të përfshijë qëllimet tona të përbashkëta. Kjo është ambicioze, por e nevojshme. Kjo tregon se jemi seriozë. Do të nxisë vrull. Do t’i japë një shtysë transformuese reformave dhe do të gjenerojë interes, investime dhe mirëkuptim më të mirë dhe do të na inkurajojë të gjithëve të punojmë së bashku”, theksoi ai. ”Për të qenë më e fortë dhe më e sigurt, BE-ja duhet të përforcojë lidhjet tona dhe të bëhet më e fuqishme. Kjo është arsyeja pse tani është koha për të trajtuar sfidën e zgjerimit. Si për ne në BE ashtu edhe për shtetet tona anëtare të ardhshme. Po, besoj se kështu duhet t’i quajmë tani vendet me perspektivë të konfirmuar të BE-së, shtete anëtare të ardhshme”, shtoi Michel. ”Është koha për të hequr qafe paqartësitë. Është koha për të përballuar sfidat me qartësi dhe ndershmëri. Rruga drejt BE-së për Ballkanin Perëndimor filloi më shumë se 20 vjet më parë. Një rajon në zemër të Evropës, i rrethuar nga BE. Ishte gjithashtu një rajon i dalë nga konflikti pas shpërbërjes së Jugosllavisë”, tha ai. ”Samiti i Selanikut, në vitin 2003, konfirmoi perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por ritmi i ngadaltë i këtij udhëtimi në BE ka zhgënjyer shumë, si në rajon ashtu edhe në BE. Jam dakord me kancelarin Scholz kur thotë se Evropa duhet të mbajë premtimet e saj”, deklaroi Michel. ”Ndërsa flasim, populli i Ukrainës po mbron heroikisht vendin e tij. Kremlini nuk po sulmon vetëm një fqinj të lirë dhe sovran. Kremlini po sulmon gjithçka që ne besojmë – lirinë, demokracinë, prosperitetin dhe bashkëpunimin. Kështu, në qershor të vitit të kaluar, ne i dhamë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë. Dhe i njëjti status e pret Gjeorgjinë kur të përfundojnë hapat e nevojshëm. Pra, tani zgjerimi nuk është më një ëndërr. Është koha për të ecur përpara”, tha presidenti Michel. ”Ka ende shumë punë për të bërë. Do të jetë e vështirë dhe ndonjëherë e dhimbshme. Për shtetet e ardhshme anëtare dhe për BE-në”, theksoi ai. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments