Rusia mund të shtojë sulmet e saj në lindje të qyteteve Kupyansk dhe Lyman në veri-lindje të Ukrainës, tha sot Ministria Britanike e Mbrojtjes në përditësimin e saj. “Kundërofensiva ukrainase i ka vënë forcat ruse nën presion në Bakhmut dhe në jug të Ukrainës”, tha ministria. “Pavarësisht kësaj, Grupi Perëndimor i Forcave të Rusisë ka vazhduar sulmet në shkallë të vogël në veri-lindje, në sektorin Kupiansk-Lyman, dhe ka bërë disa përparime të kufizuara lokale”, thuhet në raport. “Ndërsa Ukraina vazhdon të avancojë gradualisht në jug, Rusia mund të përpiqet të rifitojë iniciativën duke u kthyer përsëri në një ofensivë të nivelit operacional në veri-lindje”, sipas vlerësimit. “Ekziston një mundësi realiste që Rusia të rrisë intensitetin e përpjekjeve të saj sulmuese në aksin Kupiansk-Lyman në dy muajt e ardhshëm, ndoshta me objektivin për të avancuar në perëndim drejt lumit Oskil dhe për të krijuar një zonë tampon rreth rajonit të Luhansk”, sipas raportit. Ukraina çliroi qytetin e pushtuar nga Rusia të Kupyanskit, në rajonin e Kharkivit vitin e kaluar. Ministria e Mbrojtjes ka publikuar çdo ditë përditësime mbi luftën që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022. Moska ka akuzuar Londrën për zhvillimin e një fushate dezinformimi. ATSH