Ura e Mesit, monument kulture dhe simbol i qytetërimit të lashtë, është një nga pikat më tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë Shkodrën. Artitektura e urës mbi lumin Kir, si dhe legjenda e ndërtimit të saj janë shumë intriguese për vizitorët. Ura e Mesit, 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë. E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë. Me gjatësi 108 metër, gjerësi 3.40 metër dhe me 13 harqe jo simetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër. Ekziston një legjendë për Urën e Mesit, sipas të cilës, një tregtar turk në ndihmë të disa banorëve të zonës hapi disa gropa për të shuar gëlqeren. Për gati 20 vjet, fshatarët e pritën tregtarin për të ndërtuar urën. Më në fund ai erdhi, mblodhi banorët e filloi ndërtimin e urës. Gëlqerja, që kishte qëndruar për 20 vjet në gropa, kishte një fortësi të tillë sa i lidhi mjaft mirë gurët e urës. Sipas legjendës, kjo urë është ndërtuar me gurë dhe gëlqere të shuar, pa çimento e hekur. atsh