Ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëravjeçare të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, fushën e myzeqesë dhe detin Adriatik, Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë përbëjnë një nga komplekset fetare më mbresëlënëse që mund të vizitohen në të gjithë vendin. Ndërtimi i këtij manastiri mendohet se ka nisur në shekullin XIII, por materialet e përdorura datojnë shumë më herët, duke qënë se u përdorën blloqet e shkallareve të amfiteatrit apo të rrënojave të tjera të lashtësisë që gjendeshin përreth. Ky takim mes antikitetit dhe arkitekturës bizantine, së bashku me Muzeun Arkeologjik të pozicionuar brenda Manastirit, e bëjnë këtë kompleks tejet të rrallë për nga vlerat historike, arkitekturore, kulturore e fetare. Mozaikët pranë trapezerisë (mencës së murgjve), portiku i Kishës me kolonadën e bukur prej tetë shtyllash, ikonat dhe pikturat murale, krijojnë një kompleks mjaft sugjestiv. Në vitin 1927 u rindërtua ikonostasi si dhe u ndërtua këmbanarja e bukur që i jep një tjetër pamje gjithë zonës. Disa qiparisë të vetmuar shërbejnë si dekor perfekt në këtë kompleks që ngjan i krijuar enkas për t’i lënë hapësirë udhëtimit shpirtëror.
ATSH