Parku Kombëtar i Prespës, i ndodhur 45 minuta larg qytetit të Korçës, në këto ditë gushti ka tërhequr një numër të lartë turistësh vendas e të huaj. Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Korçë ndau momente nga vizita e turistëve në këtë park, i cili fron një potencial të madh për natyrën, biodiversitetin dhe kulturën që ka. “Turistë të shumtë vizitojnë Parkun Kombëtar të Prespës gjatë sezonit të verës. Pajisja me sinjalistikën informuese dhe promovuese të vlerave natyrore dhe kulturore të PK Prespa do të jetë një pikë e rëndësishme për promovimin e duhur të zonës në shërbim të turizmit”, theksoi ADZM Korçë. ADZM Korçë informon se qendra e vizitorëve në hyrje të parkut prej gushtit është e hapur çdo ditë për t’i njohur ata me bukuritë natyrore dhe kulturore që ofron ky park. Parku Kombëtar “Prespa” bën pjesë në zonat e mbrojtura të kategorisë 2, vendim i cili është shpallur në vitin 1999. Përfaqësuesit specifikë të florës dhe faunës në park janë venja (Juniperus excelsa), (Centaurea prespana), (Viola eximia), dhia e egër e Ballkanit (Rupicapra r. balcanica), ariu i murrmë (Ursus arctos) pelikani kaçurrel (Pelicanus Crispus). Monumente natyre në park janë: Venjat e Kallamasitrit, Zgavra e Zaverit, Dushqet e Manastirit Djellas, Ishulli i Maligradit, Gurët e Mumjes, Shpella e Trenit. Objekte kulturore, fetare, historike brenda zonës janë Kisha e Shën Marenes, Kallamas, Kisha e Shën Gjergjit Gollomboc, Kisha e Shën Pjetrit Zaroshkë, Kisha e Shën Mërisë.