Ukraina vazhdon të bëjë presion ndaj qeverisë gjermane për të furnizuar Kievin me raketa gjermane “Taurus”. “Ukraina ka nevojë për këto raketa, për të shpëtuar më shumë jetë ushtarësh dhe civilësh ukrainas dhe për të përshpejtuar çlirimin e territoreve të saj”, tha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba për “Bild”. “Formula është e thjeshtë, një rreze më e madhe raketash nënkupton një kohëzgjatje më të shkurtër të luftës. Me këto armë, Ukraina mund të arrijë forcat pushtuese ruse në tokën ukrainase shumë përtej vijës së frontit, të prishë logjistikën e tyre dhe të shkatërrojë qendrat e komandës dhe depot e municioneve”. Në Gjermani, presioni ndaj kancelarit Olaf Scholz për këtë çështje ishte rritur kohët e fundit. Politikanët nga partitë qeverisëse dhe opozita kërkuan që forcave të armatosura të Ukrainës t’u jepet sistemi i armëve i përshtatshëm për shkatërrimin e bunkerëve dhe posteve komanduese të mbrojtura në distanca deri në 500 kilometra. Mbështetësit e shohin këtë si një hap tjetër të qartë drejt forcimit të aftësive mbrojtëse të Ukrainës. Megjithatë, është ndezur gjithashtu një debat nëse Ukraina mund të synojë gjithashtu të përdorë raketat për sulme të mundshme kundër territorit rus dhe si mund të parandalohet kjo. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha në fillim të këtij muaji se nuk kishte ardhur ende koha për një vendim. Scholz tha të premten se nuk kishte asgjë të re për të raportuar në lidhje me këtë çështje. Kuleba përsëriti garancitë se raketat do të vendoseshin vetëm brenda kufijve të Ukrainës. “Shqetësimet se Ukraina mund të përdorë raketat “Taurus” kundër objektivave në tokën ruse janë të pabaza”, tha ai. ATSH
Ukraina, presion ndaj Gjermanisë për t’u furnizuar me raketa “Taurus”
RELATED ARTICLES