Me dakordësinë e ministrave të Brendshëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Balla dhe Ikonomou, u zhvillua sot takimi ndërmjet drejtorëve të departamenteve të Policisë Kufitare dhe Migracionit, të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. Në fokus të këtij takimi ndërmjet 2 drejtorëve, Drejtues i Lartë, Saimir Boshnjaku dhe gjeneral major, Dimitrios Mallios, ishte menaxhimi i fluksit në pikat e kalimit kufitar, si dhe forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër krimeve kufitare. Drejtuesit më të lartë të policive kufitare shqiptare dhe greke, shprehën vlerësimin për bashkëpunimin shumë të mirë dypalësh, si dhe u dakordësuan për intensifikimin e masave të përbashkëta për menaxhimin e fluksit, si dhe për rritjen e numrit të sporteleve në të dyja anët e kufirit. Boshnjaku u shpreh në një pronocim, pas takimit me homologun grek, në Kakavijë se, “patëm një takim sot me drejtorin e Policisë Kufitare të palës greke, lidhur me menaxhimin e situatës në pikat e kalimit në kufirin me Greqinë. Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, themi se situata është normale, pavarësisht se fluksi i rritjes së qytetarëve po shtohet dita-ditës. I kemi marrë këto masa dhe besoj se do të jemi shumë eficient te pjesa e menaxhimit të kalimit”. “Me palën greke, sidomos me Departamentin e Policisë Kufitare dhe Migracionit, ky bashkëpunim ka qenë i vazhdueshëm, është real dhe do të jetë i prekshëm edhe nga qytetarët. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, në raste kur ka pasur radhë, të cilat për momentin janë të pranueshme dhe në nivele normale, por besojmë që me bashkëpunimin mes dy palëve dhe me masat që do të merren në të dy anët e kufirit, situata do të jetë në kushte normale”, u shpreh ai. Boshanjku falënderoi edhe palën greke për gatishmërinë që kanë treguar në bashkëpunimin me palën shqiptare dhe theksoi ai, “besojmë që kjo do të jetë një arritje shumë e mirë për këtë sezon turistik”.
Policia shqiptare dhe greke, bashkëpunim për menaxhimin e fluksit
RELATED ARTICLES