SHBA-ja njoftoi të hënën vendimin për sanksione ndaj 4 zyrtarëve të lartë në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) për “pengim dhe kërcënim” të zbatimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës së viteve 1992-1995 në vendin ballkanik. Midis zyrtarëve të sanksionuar nga Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) janë Nenad Stevandiq, kryetar i Parlamentit dhe president i Republikës Sërpska (RS), entiteti serb në BeH, kryeministri i RS Radovan Vishkoviq, ministri i Drejtësisë së RS Millosh Bukejlloviq dhe anëtarja serbe e Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq. “Këta udhëheqës janë drejtpërdrejt përgjegjës për inkurajimin e miratimit të një ligji të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska (RSNA) që synon të shpallë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së të pazbatueshme në RS, duke penguar dhe kërcënuar kështu zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Thesarit. “Ky veprim kërcënon stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH-së dhe paqen e arritur me vështirësi të mbështetur nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit”. Në fund të qershorit, Republika Sërpska miratoi ligjin që anulon vlefshmërinë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së. Përfaqësuesi i Lartë i ndërkombëtar për BeH-në, Christian Schmidt anuloi vendimet e marra nga entiteti dhe deklaroi se ato nuk mund të hynin në fuqi. Asambleja e entitetit, megjithatë, vendosi të mos publikojë asnjë vendim të marrë nga Schmidt në gazetën e saj zyrtare. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 3 gjyqtarë boshnjakë, 3 serbë dhe 3 kroatë. atsh
SHBA sanksionon anëtaren serbe të Presidencës së BeH
RELATED ARTICLES