Zhvillimi i agroturizmit është në kulmin e tij dhe në këtë sezon veror prurjet e vizitorëve vendas dhe të huaj, sidomos në zonat malore por edhe ato bregdetare, vijojnë të shënojnë rritje. Zv.ministri i Bujqësë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “tashmë, agroturizmi është kthyer për Shqipërinë në një motor të rëndësishëm ekonomik, teksa Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po mbështet fermerët dhe aktorët e sektorit në përpjekjet e tyre për të shtuar ofertën agroturistike”. Sipas tij, interesimi për të bërë investime të tilla ka ardhur gjithnjë në rritje dhe fshati po bëhet tërheqës duke gjeneruar ekonomi ku baza mbetet bujqësia. Civici shprehet se, agroturizmi është një nga modelet më të mira të biznesit për të mbajtur njerëzit në fshat dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale. “Qeveria ka ndërmarrë lehtësi fiskale dhe politika në mbështetje të diversifikimit rural, rritjen e njësive të akomodimit (bujtinave), paralelisht me subvencionimin e fermerëve për rritjen e prodhimit bujqësor vendas dhe atë argopërpunues, që mbeten pikat e forta për zhvillimin e agroturizmit”, tha zv.ministri Civici, teksa vuri në dukje se, bukuritë natyrore, historia dhe trashëgimia kulturore, janë vlerë e shtuar në epërsinë që po merr agroturizmi. Sipas të dhënave nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, janë 103 investime të mbështetura nga programi IPARD II në kuadër të masës për diversifikimin e fermave dhe gjallërimin e ekonomisë në zonat rurale. Këto investime përfshijnë sipërmarrjet agroturistike, bujtinat, prodhimin dhe përpunimin e produkteve, industrinë e artizanatit, akuakulturën, etj. “Qëllimi është ndërtimi i modeleve të suksesit, rritja e standardeve të jetesës, hapja e vendeve të reja të punës dhe shtimi i të ardhurave të familjes rurale”, tha Civici. Ai vlerësoi rolin e programit IPARD në rimodelimin e ekonomisë rurale përmes agroturizmit. Fokus i programit IPARD, me fondet e Bashkimit Evropian dhe qeverisë shqiptare, është zhvillimi i bujqësisë përmes modernizimit dhe automatizimit të veprimtarisë së fermave dhe eksporteve, duke ndikuar pozitivisht në ekonominë e fermerëve dhe sipërmarrësve, në punësimin e të rinjve dhe zhvillimin e bizneseve në zonat rurale. Sipas të dhënave nga AZHBR, mbështetja për këto investime ka arritur në vlerën e 17.04 milionë eurove, të cilat janë fonde të Bashkimit Evropian, në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare. Modeli i bashkëpunimit midis shtetit ndërmjet fondeve publike dhe iniciativës sipërmarrëse të familjeve fermere, janë dëshmi që këto forma investimi mund të garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm rural. Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme për t’u zhvilluar dhe për të konkurruar jo vetëm në tregun vendas, por edhe në tregun ndërkombëtar. Rritja e prodhimit bujqësor vendas vijon të mbajë një trend rritës progresiv eksportet bujqësore dhe produkte si vera, vaji i ullirit, mjalti apo prodhimet bujqësore “bio”, bashkë me kulinarinë tradicionale me prodhime tipike të zonave, po nxisin agroturizmet, modele që po ndjekin njëra-tjetrën në zona të ndryshme të vendit, me potenciale të shumta për prodhim dhe diversifikimin e fermës. Sipas INSTAT-it, numri i vizitorëve në muajin maj të këtij viti shënoi rritje me 38 %, krahasuar me majin e vitit 2022. Gjithashtu vërehet se, numri i netëqëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët kanë qendruar në “akomodime për pushime dhe të tjera akomodime afatshkurtra” ka shënuar rritjen më të lartë me 2.3 herë në muajin maj të këtij viti, ku pa dyshim një përqindje të konsiderueshme zë dhe akomodimi në pikat agroturistike. atsh
Civici: Zhvillimi rural dhe pikat e forta të bujqësisë
RELATED ARTICLES