Banka e Shqipërisë bën të ditur se, inflacioni bazë ra për të katërtin muaj radhazi në qershor, ndonëse mbetet mbi nivelin e objektivit prej 3 % të bankës qendrore. Sipas të dhënave nga BSH-ja, “inflacioni zbriti në 5.18 %, nga 5.41 % që kishte qenë në muajin maj. Aktualisht, inflacioni bazë ndodhet në nivelin më të ulët që prej marsit të vitit të kaluar. Edhe rritja mujore e indeksit u ngadalësua më tej në 0.16 %, nga 0.26 % që kishte qenë për muajin maj. Rritja mujore e inflacionit bazë ishte më e ulët që prej tetorit të vitit 2021”. Raporti i BSH-së vëren se, inflacioni bazë arriti nivelin më të lartë historik prej 8.74 % mes dhjetorit 2022 dhe janarit 2023, ndërsa në vazhdim ka ndjekur një tendencë rënëse. Inflacioni bazë mat ndryshimin e çmimeve të konsumit, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër. Megjithëse inflacioni bazë po bie, ai ngelet në vazhdimësi sipër vlerës së inflacionit mesatar në ekonomi. Sipas INSTAT, në muajin qershor, inflacioni pësoi një tjetër rënie të lehtë, duke zbritur në nivelin 4.5 %, më i ulëti që prej shkurtit të vitit të kaluar. BSH garanton se, “në çdo rast, politika monetare do të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e saj në frenimin e aktivitetit ekonomik dhe pasojave të mundshme të padëshirueshme në stabilitetin financiar”. atsh