Kina i ka bërë thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të rifillojnë shpejt eksportet e grurit, pas tërheqjes së Rusisë nga një marrëveshje ndërkombëtare që lehtëson eksportet bujqësore. Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, Geng Shuang, bëri thirrje për një rifillim të shpejtë të eksporteve të grurit dhe plehrave nga Rusia dhe Ukraina në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. ”Pekini shpreson se të interesuarit do të punojnë me organet e OKB-së për të gjetur një zgjidhje të ekuilibruar për shqetësimet legjitime të të gjitha palëve”, tha Geng në takimin në Nju Jork, sipas një raporti në televizionin shtetëror kinez. Ai tha se kjo ishte e nevojshme për të garantuar sigurinë ndërkombëtare të ushqimit. Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022 dhe bllokoi portet e Detit të Zi thelbësor për eksportin e grurit ukrainas. Ukraina është ndër furnizueset kryesore në botë të grurit dhe shumë vende varen nga eksportet e saj. Rusia dhe Ukraina ranë dakord më pas për kushtet për të lejuar vazhdimin e eksporteve, në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia. Megjithatë, marrëveshja skadoi javën e kaluar pasi Moska këmbëngul në kushte dhe lehtësim të sanksioneve. Bashkimi Evropian, i cili mbështet marrëveshjen e eksportit të grurit të Ukrainës, ka thënë se gruri dhe plehrat ruse janë të përjashtuara nga sanksionet. atsh
Kina:Të rifillojnë shpejt eksportet e grurit
RELATED ARTICLES