Qeveria belge ka bërë të ditur se do të asgjësojë vaksina të skaduara dhe furnizime mjekësore në vlerë prej 131 milionë euro të blera gjatë pandemisë COVID-19. Sipas mediave belge, numri i vaksinave që do të asgjësohen është 3.5 milionë doza, përkatësisht 6,5 për qind e 54 milionë dozave të vaksinave të marra nga vendi. Këto vaksina janë për llojin e parë të virusit dhe do të asgjësohen së bashku me mjetet e shumta të testeve që kanë skaduar, përfshirë edhe maskat që nuk plotësojnë standardet e kërkuara. Vlera totale e furnizimeve mjekësore dhe vaksinave që do të asgjësohen është 131 milionë euro, ndërsa procesi i asgjësimit do të kushtojë 310 mijë euro. “Gjatë një krize shëndetësore të paprecedentë dhe shumë të pasigurt, është detyrë e qeverisë që të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të mbrojtur publikun”, tha ministri belg i Shëndetësisë, Frank Vandenbroucke. Prandaj, shtoi ai, gjatë valës së pandemisë qeveria e mëparshme prokuroi një sasi të madhe të furnizimeve mjekësore në një kohë kur materialet e tilla ishin të pakta. “Tani që kanë skaduar, ne jemi të detyruar t’i asgjësojmë”, tha ai. Megjithatë, sipas Vandenbroucke, në të gjitha vendet evropiane do të asgjësohet një sasi e madhe e vaksinave, ndërsa sasia që do të asgjësohet në Belgjikë është relativisht e ulët në krahasim me vendet e tjera për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit. atsh
Belgjika asgjëson 131 milionë euro furnizime mjekësore dhe vaksina
RELATED ARTICLES