Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian zënë 59.3 % të gjithë tregtisë. Referuar raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), publikuar së fundmi, në periudhën janar – qershor, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74.1 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51.4 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 30.2 %, Kina me 7.6 %, Turqia me 7 % dhe Greqia me 6.8 %. Gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilat Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia 10.6 %, Gjermania me 30.3 % dhe SHBA me 57.8 %. Ndërsa, vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë Spanja me 67 %, Greqia me 16.1 % dhe Maqedonia e Veriut me 12.4 %. Ndërsa vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Turqia me 18.4 %, Greqia me 11.9 % dhe Italia me 3.8 %. Të dhënat tregojnë se vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë Kina me 39.7 %, Zvicra me 103.1 % dhe SHBA me 49 %. atsh