Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) ka shpallur për herë të pestë thirrjen për projekt-propozime për organizatat jofitimprurëse me dy fusha kryesore tematike: Ndërtimi dhe Ruajtja e paqes dhe fuqizimi dhe angazhimi i të rinjve në shoqëri. Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi u shpreh sot se, “objektivi i përgjithshëm është të mbështetet shoqëria civile në Ballkanin Perëndimor për të nxitur ruajtjen, ndërtimin e paqes, bashkëpunimin rajonal dhe mësimin ndërkulturor duke u ofruar të rinjve mundësi që krijojnë hapësirë për dialog, mësim të ndërsjellë dhe rritje të mirëkuptimit në të gjithë rajonin”. Muzhaqi u bën thirrje OJF-ve të aplikojnë deri më 15 gusht. “Nëse je një OJF, e themeluar në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut apo Serbi, të paktën një vit përpara fillimit të kësaj thirrje për propozime dhe synimet e juaja përputhen me objektivat e RYCO-s, nxitoni të aplikoni deri më 15 gusht”, thekson Muzhaqi. atsh