Forcimi i kursit të këmbimit, ndikimi i tij në ecurinë e disa prej bizneseve eksportuese shqiptare dhe kontributi që mund të japë sistemi bankar në këtë drejtim, ishte një çështje me rëndësi që u diskutuar gjatë takimit që zhvilloi sot Banka e Shqipërisë me Bordin Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe drejtues të bankave tregtare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, vuri në dukje se, forcimi i kursit të këmbimit të lekut ka pasqyruar përmirësimin e vazhdueshëm të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, si dhe rritjen e interesit për të kursyer e investuar në monedhën tonë kombëtare. Nga ana e Bankës së Shqipërisë, në takim, u evidentua nevoja që bankat tregtare, të zhvillojnë më tej produktin e kontratave forward, në lidhje me menaxhimin e kursit të këmbimit nga klientët, për ta ofruar atë në cilindo moment që do të kërkohet, veçanërisht nga bizneset eksportuese. Gjithashtu, bankave iu kërkua që të jenë sa më mbështetëse për aspekte të tjera të marrëdhënieve të biznesit bankë-klient, veçanërisht në ato të lidhura me kreditimin, në mënyrë që, në këtë moment të vështirë, barra e bizneseve eksportuese të lehtësohet sa të jetë e mundur. Një tjetër çështje e diskutuar ishte zhvillimi i sistemit bankar shqiptar në drejtim të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve të reja. Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë këtyre shërbimeve, nëpërmjet krijimit të terrenit të nevojshëm rregullativ, infrastrukturës teknike etj., dhe mbetet e gatshme të mbështesë të gjitha kërkesat apo nevojat në këtë drejtim. Palët shprehën angazhimin e plotë për vijimin e bashkëpunimit të ndërsjellët institucional, si dhe, me autoritetet qendrore dhe vendore, në funksion të një sektori bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit. atsh