57 përfitues në Thirrjen e dytë të Bonusit të Rijetësimit

0
10

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot se, 57 janë përfituesit e Thirrjes së dytë të Bonusit të Rijetësimit. Margariti tha se, “edhe këtë vit Ministria e Kulturës hapi Thirrjen për Bonusin e Rijetësimit, një nismë e qeverisë shqiptare që synon restaurimin dhe rijetësimin e objekteve monumente kulture, por edhe ato që nuk mbajnë këtë status, por gjenden në qendra historike e arkeologjike, lagje-kala etj.”. Sipas saj, buxheti për Bonusin e Rijetësimit është 50 % më i madh se një vit më parë dhe harta gjeografike e projekteve fituese është më e gjerë, duke prekur edhe ato zona ku nuk kishte shkuar në vitin 2022, si në Elbasan, Kukës, Bulqizë, Konispol, Qeparo e Himarë, ndërkohë që numri më i madh i përfituesve numërohet në qytetet nën mbrojtjen e UNESCO-s, si Gjirokastra, Berati apo qytetet me trashëgimi kulturore të spikatur si Kruja. Margariti theksoi se, “pas përvojës së vitit të parë, Bonusi i Rijetësimit rezultoi të ishte një formulë e suksesshme, ku pala shtet fton pronarët apo përdoruesit e objekteve të propozuara për restaurim dhe rijetësim, të bëhen bashkë në investime në pronat e tyre për t’i mirëmbajtur dhe rijetësuar”. “Përfitimi i dyanshëm i kësaj nisme është ruajtja e trashëgimisë kulturore, jo vetëm unifikimi i ansambleve, por edhe rritja e punësimit dhe mirëqenies ekonomike”, tha ajo. atsh