Kombëtarja Shqiptare e Futbollit ngjitet me tre pozicione në renditjen e përgjithshme të Federatës Ndërkombëtarë të Futbollit, FIFA. Fitoret e arritura ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faore, i kanë dhënë mundësi kombëtares kuqezi të ngjitet me tre pozicione në renditjen e përmuajshme që publikohet nga FIFA. Kështu, nga renditja vihet re se Shqipëria falë performancës së saj, ka arritur të lë pas në klasifikim kombëtare si Islanda dhe Maqedonia e Veriut, teksa para kuqezinjve janë kombëtare si ajo e Bosnjë-Hercegovinës, Afrika e Jugut, Xhamajka dhe Irlanda e Veriut. Sakaq, rivalët e kombëtares shqiptare në grupin E, në kuadër të eliminatoreve për finalet e evropianit “Gjermani 2024”, duket se kanë pësuar edhe ato rritje, përveç Polonisë. Polonia ka zbritur 3 shkallë në sajë të humbjes ndaj Moldavisë 3- duke u renditur aktualisht në vendin e 26-të. Republika Çeke renditet e 37-ta, duke ngjitur një shkallë në krahasim me muajin e kaluar falë triumfit 0-3 ndaj Ishujve Faroe. Moldavia ka thyer rekord, pasi mundi Poloninë, duke u ngjitur plot 7 vende, duke u renditur në vendin e 164-t. Ishujt Faroe, që humbën në shtëpi me Çekinë dhe Shqipërinë, ndodhen në vendin e 129-të. Ndërkaq, ngjitje me një pozicion ka pësuar Anglia që ndërron vendet me Belgjikën dhe Kroacia në dëm të Holandës. 10 vendet e para kompletohen nga kombëtare si Italia, Portugalia dhe Spanja, teksa vijon zbritja e Gjermanisë, tani në pozicionin e 15-të në Botë. Ndryshe nga Shqipëria, Kosova ka pësuar rënie në klasifikim, duke u renditur në vendin e 108, kjo për shkak të humbjes së pësuar përballë Bjellorusisë. atsh