Ministria e Arsimit dhe Sportit organizoi takimin e parë të konsultimit publik për projektligjin “Për shkencën” me anëtarët e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, të cilët dhanë sugjerime me vlerë për ta përmirësuar më tej draftin e parë. Në fjalën e saj ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, tha se “ky ligj do t’i japë një frymë të re bashkëkohore kërkimit shkencor, duke e përafruar me legjislacionin e BE-së dhe duke reflektuar zhvillimet e kohës”. Kushi bëri të ditur se “ligji i ri për shkencën synon zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe rritjen e mirëqenies sociale; ngritjen e kapaciteteve të personelit shkencor; fuqizimin e lidhjeve ndërkombëtare me zonën evropiane të kërkimit dhe rritjen e përdorimit të infrastrukturës kërkimore-shkencore”. “Ky ligj nxit gjithashtu bashkëpunimin midis institucioneve të kërkimit shkencor, biznesit, institucioneve publike, shoqërisë civile, si dhe palëve të tjera të interesuara në veprimtari kërkimore shkencore dhe inovacion”, tha Kushi. Ministrja Kushi bëri të ditur se procesi i konsultimit do të vazhdojë të jetë intensiv gjatë muajit korrik edhe me aktorë të tjerë të fushës së kërkimit shkencor. Aktualisht Shqipëria ka një ligj të vitit 1994 për shkencën. MAS po punon bashkë me Akademinë e Shkencave për të miratuar ligjin e ri të shkencës. atsh