Nëse keni dilema nëse duhet ta merrni çadrën me vete apo jo, po ju themi që nuk duhet të shqetësoheni më për paqëndrueshmërinë e motit pasi kjo javë do të jetë e gjitha me diell. Sinoptikani Hakil Osmani nga “MeteoAlb” thotë se kjo javë do të jetë nën dominimin e temperaturave të larta, të cilat ditën e enjte do të kulmojnë në maksimalet e tyre në 37 gradë Celsisus në territorin e vendit. Hakil Osmani: Kemi lajme të mira pasi pritet që të kemi dominim të motit të qëndrueshëm, do të kemi intervale të gjata me kthjellime, ku më të dukshme, kthjellimet do të jenë në zona bregdetare dhe në qytetet e zonave të ulëta. Në zonat malore, do të kemi herë pas here kalime të vranësirave duke krijuar momente të izoluara me reshje të pakta shiu, por që do të jenë të papërfillshme. Dielli do të jetë dominant përgjatë gjithë 24-orëshit në zonat bregdetare, por jo vetëm diell. Do të kemi rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit duke bërë që maksimumet në territorin shqiptar gjatë ditës së sotme të ngjiten deri në 33 gradë Celsisus, ndërsa minimumet kanë regjistruar 11 gradë Celsisus. Në qytetet e zonave malore, dita-ditës do të kemi rritje të temperaturave të ajrit duke bërë që maksimumet gjatë ditës së enjte të regjistrojnë vlerën e 36 apo 37 gradë Celsisus në territorin shqiptar. Ndërsa në zonat bregdetare, në orët e para të mëngjesit temperaturat e ajrit do t’i kemi nga 21 deri në 25 gradë Celsisus. Do te kemi një javë që do të jetë kryesisht e ngrohtë. Mëngjesi i ditës së premte parashikohet të jetë nën dominimin e kthjellimeve, temepraturave të larta në orët e para të mëngjesit, mesdita po ashtu pritet që t’i ketë temperaturat e larta edhe pse pritet një rënie me 1 apo 2 gradë në maksimumet. Në pjesën e dytë të ditës së premte do të kemi shpeshtim të vranësirave.