Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka në fokus forcimin e kontrollit dhe garantimin e sigurisë ushqimore në tregjet e vendit për sektorin blegtoral. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca tha se “në kuadër të sigurisë ushqimore, MBZHR garanton matrikullimin dhe vaksinimin falas të të gjitha kafshëve bujqësore, në shkallë vendi, me 0 kosto për fermerët në fermat blegtorale duke siguruar mish dhe qumësht konform standardeve ushqimore”. Ministrja informoi se Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve vijon me matrikullimin dhe gjurmimin për shëndetin e kafshëve, ku vetëm në vitin 2022 janë kryer mbi 273 mijë vaksinime. Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me një vit më parë, është rritur me 562 mijë numri matrikullimeve dhe rreth 115 mijë krerë janë gjurmuar për sëmundje të ndryshme. “92 % e fermave blegtorale u vizituan të paktën një herë nga veterinerët tanë”, tha Krifca. Në funksion të rritjes së shërbimit veterinar sipas standardeve më të mira, janë punësuar së fundi edhe 400 veterinerë të rinj me shtrirje në të gjithë vendin, me qëllim forcimin e kontrollit në fermat blegtorale. Gjithashtu gjatë këtij viti, me mbështetjen e buxhetit synohet të forcohen kapacitetet inspektuese, falë investimeve të qeverisë me flotën përkatëse dhe akreditimin e laboratorëve të kontrollit do të rritet me 20 % numri i analizave duke e shtuar në 60 mijë numrin e analizave në laboratorët rajonalë të sigurisë ushqimore. atsh