Zonat e Velipojës, Ura e Bunës, Shiroka dhe Zogaj do të përfshihen në një aksion pastrimi i cili ka nisur sot si një ndërhyrje me përfshirjen e Forcave të Armatosura, si bashkëveprim mes Ministrisë së Turizmit e Mjedisit, Ministrisë së Mbrojtjes, Prefektit dhe Bashkisë Shkodër. Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci solli momente nga aksioni, duke theksuar se pastrimi që nisi sot në Velipojë, është hapi i parë i një plani të mirëmenduar pune që do të vijojë gjatë gjithë sezonit dhe jo vetëm. “Në diskutim me banorë të zonës, problematikat janë konkrete, nevoja për të ndërhyrë e menjëhershme. Vullneti i institucioneve qendrore e lokale është maksimal, ndaj puna do të vijojë përtej këtij aksioni disa ditor. Pastërtia në të gjithë territorin e veçanërisht në zonat turistike, janë domosdoshmëri jo vetëm për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve e të mjedisit, por parakusht për zhvillimin e turizmit”, u shpreh Beci në rrjetet sociale. Ai falënderuar vullnetarët e institucionet që u angazhuan, e në mënyrë të veçantë Forcat e Armatosura, ministren Kumbaro, drejtuesen politike Spiropali dhe prefekten Angoni si dhe ftoi qytetarët të bashkohen në ruajtjen e mjedisit, si një e mirë që na takon të gjithëve. Aksioni do të përfshijë: •pastrimin e skarpateve në të dyja anët e Urës së vjetër të Bunës •pastrimin e përroit Qendër- Shirokë •pastrimin e mbetjeve të hedhura përgjatë rrugës Shirokë -Zogaj •pastrimin e mbetjeve sipërfaqësore në Vilu, në zonën e hidrovorit në Velipojë •sistemimin e territorit dhe mbulimin e sipërfaqes •pastrimin e inerteve të objekteve të prishura nga IKMT (IMVT). atsh
Aksioni i pastrimit në Shkodër: Parakusht për zhvillimin e turizmit
RELATED ARTICLES