Monday, November 25, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORTSadiku e Bajrami:Me mbështetjen e tifozëve arrijmë ‘EURO 2024’

Sadiku e Bajrami:Me mbështetjen e tifozëve arrijmë ‘EURO 2024’

Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për dy sfidat e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian Gjermani 2024, ndaj Moldavisë që do të zhvillohet më 17 qershor në shtëpinë e kuqezinjve, “Air Albania” dhe më pas ndaj Ishujve Faroe më 20 qershor në transfertë. Nën urdhrat e trajnerit Silvinjo dhe stafit kuqezi, ekipi ka nisur përgatitjet që prej të hënës së 5 qershorit, teksa grupi po kompletohet dita-ditës. Në prag të sfidës së parë ndaj Moldavisë, dy futbollistët e Kombëtares, Armando Sadiku dhe Adrian Bajrami dolën këtë të premte në një konferencë për media, ku iu përgjigjën edhe interesit të gazetarëve të pranishëm. Nga rikthimi me ekipin kombëtar, te përshtypjet e para rreth ‘skuadrës së re’, Armando Sadiku nuk e fshehu aspak kënaqësinë e ftesës së marrë nga trajneri Silvinjo. Sulmuesi kuqezi nënvizoi se nuk mungon cilësia në këtë grup, ndërsa theksoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të përsërisë suksesin e 2016-ës. Sadiku nuk ngurroi të bënte një thirrje të hapur për të gjithë tifozët, të cilët janë mbështetja më e madhe e Kombëtares. Sulmuesi u shpreh se prania e tyre në stadium i jep më shumë motiv për ta fituar ndeshjen. “E prisja që trajneri do të më thërriste. Kam biseduar disa herë me të, që prej emërimit të tij. Jam shumë i kënaqur që u riktheva dhe kisha shumë kohë që e prisja grumbullimin. Kur mora ftesën, isha shumë i lumtur”, u shpreh Sadiku gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar sot në ambientet e FSHF. “Kombëtarja ka shumë djem të rinj. Disa i njoh, disa janë të rinj, por i njoh të gjithë. Është krijuar një grup shumë i mirë, me shumë cilësi. Jemi këtu të gjithë bashkë, me një qëllim. Ne sulmuesit duhet të jemi shumë të vëmendshëm në çdo aksion, që topat që do të na furnizojnë, t’i kthejmë në gola. Moldavia është një ekip i fortë dhe parashikohet që do të rrinë në mbrojtje. Do të jetë e vështirë. Por do të mundohemi që me rastet që do të kemi, t’i shfrytëzojmë. Kemi shumë besim te mesfusha jonë”, tha Sadiku. Sulmuesi u shpreh i bindur për kualifikimin e Shqipërisë në finalet e kampionatit europian. “Jam shumë i bindur dhe kam shumë besim. Grupi na e lejon, edhe pse nuk ka ekipe të dobëta. Besoj se do t’ia arrijmë qëllimit dhe nëse do të kemi edhe mbështetjen e të gjithë tifozëve, ta fillojmë me këmbën e mbarë në ndeshjen e parë që kemi në shtëpi kundër Moldavisë. Besoj që do t’ia arrijmë sërish atij qëllimi dhe shpresoj që të jemi sërish protagonistë, si në 2016”. Duke folur për trajnerin Silvinjo, Sadiku i lumtur për punën e realizuar. “Jam shumë i lumtur dhe e vlerësoj shumë trajnerin. Kemi folur disa herë me të, më ka thënë që do të jem një lojtar i rëndësishëm dhe që do të kem një rol të rëndësishëm në ekip. Do të jem në dispozicion të tij sa herë që do të ketë nevojë për mua. Jam shumë i lumtur që më vlerëson dhe uroj që t’ia shpërblej në fushë. Duam të shkojmë sërish në Europian”, vijoi Sadiku. Sulmuesi i bëri një thirrje tifozëve shqiptarë. “Pa tifozët nuk do të kishim shkuar në Europian, pavarësisht mundit tonë 100 %. Por pa mbështetjen e tifozëve, që na kanë pritur në çdo ndeshje, nuk do t’ia kishim arritur. I bëj thirrje të gjithë tifozëve që të na mbështesin në këtë ndeshje sepse kemi vërtetë nevojë dhe ne do t’’ia shpërblejmë në fushë. Do ta fitojmë ndeshjen dhe shpresoj që pas kësaj fitoreje, të vazhdojmë kështu dhe të kthejmë atmosferën e 2016, sepse të gjithë po e presim prej vitesh”, theksoi Sadiku. Sulmuesi i Kombëtares në fund të konferencës tha se nuk i trembet konkurrencës. “Konkurrenca është shumë e mirë, sepse mundohesh që mos të gabosh dhe të përmirësohesh. Ato janë zgjedhjet e trajnerit, ne jemi futbollistë dhe duhet të pranojmë zgjedhjet e tij. Dhe duhet të jemi të gatshëm çdo moment që sa herë të na jepet mundësia, të japim maksimumin tonë”, nënvizoi ai. Pas Sadikut, fjalën e mori Adrian Bajrami, i cili foli për rikthimin në Kombëtare si fillim e për të kaluar më pas te konkurrenca në repartin e mbrojtjes. I riu vlerësoi kundërshtarët e radhës në kualifikueset e EURO 2024, duke theksuar se nuk ka kundërshtarë të lehtë. Gjithashtu Bajrami komentoi edhe raportin me trajnerin Silvinjo dhe për të ardhmen e tij te Benfika. “Jam shumë i lumtur të jem pjesë e Kombëtares përsëri. Është e vërtetë që kam pasur një dëmtim shumë të rëndë. Jam rikuperuar shumë mirë, jam 100 për qind, jam gati. Sa i takon konkurrencës me Gjimshitin dhe Ismajlin, është pjesë e futbollit. Jam shumë mirë dhe jam i angazhuar të bëj maksimumin për të luajtur”, u shpreh ai. I pyetur për trajnerin Silvinjo, Bajrami tha se ka patur një bisedë mjaft të mirë, ndërsa shton se shpreson të jetë titullar ndaj Moldavisë. “A do jem titullar apo jo, mbetet për t’u parë, është zgjedhje e trajnerit. Unë do jap maksimumin në çdo stërvitje. Do japim maksimumin si kombëtare, të gjithë. Duhet të kemi besim, sidomos për faktin që luajmë në shtëpi, dhe të bëjmë maksimumin”, tha Bajrami. Duke folur për sfidat e rradhës ndaj Moldavisë dhe Ishujt Faroe, Bajrami nënvizoi se s’ka sfida të lehta. “Për mendimin tim nuk ka skuadra të lehta, të gjitha ndeshjet janë të vështira. Ne duhet të japim maksimumin dhe duhet të jemi 100 për qind të fokusuar për atë që do të ndodhë në fushë”, u shpreh Bajrami. Duke folur për karrierën e tij, Bajrami tha se ëndërr ka ekipin e parë të “Benfikës”. “Kam edhe dy vite kontratë te Benfika. Ëndrra ime është të jem pjesë e ekipit të parë të ‘Benfikës’. Gjithsesi nuk i duhet futbollit kurrë. Jam në Kombëtare për momentin, pas Kombëtares do të shikojmë si do të jetë e ardhmja”, përfundoi Bajrami.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments